Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Harvardit Larry Summers jep dorëheqjen nga bordi i OpenAI për lidhjet me Epstein


Larry Summers, ish-sekretar i Thesarit dhe president i Harvardit, ka dhënë dorëheqjen nga bordi i OpenAI, kompania që mbështet ChatGPT, në vazhdën e një stuhie mbi lidhjet e tij me kriminelin e dënuar seksual, Jeffrey Epstein.

Largimi i Summers nga firma e profilit të lartë të inteligjencës artificiale erdhi të mërkurën, vetëm dy ditë pasi ai njoftoi se po tërhiqej nga të gjitha angazhimet publike pas publikimit të mijëra emaileve të tij me financuesin e turpëruar.

“Jam mirënjohës për mundësinë që kam pasur për të shërbyer, i emocionuar për potencialin e kompanisë dhe mezi pres të ndjek përparimin e tyre,” tha Summers në një deklaratë për CNBC.

Bordi i OpenAI tha se e respektonte vendimin e Summers.

“Ne vlerësojmë kontributet e tij të shumta dhe perspektivën që ai solli në Bord,” tha bordi në një deklaratë.

Polemika shpërtheu javën e kaluar kur komiteti i mbikëqyrjes qeveritare të Dhomës së Përfaqësuesve publikoi më shumë se 20,000 faqe dokumente nga komunikimet e Epstein, duke zbuluar një marrëdhënie miqësore midis Summers dhe pedofilit të njohur.

Emailet, të cilat vijuan deri një ditë para arrestimit të Epstein në vitin 2019, tregonin dy burrat duke biseduar ndër të tjera edhe për një grua për të cilën Summers ishte i interesuar.

Emailet e sapo-publikuara tregojnë se Summers mbajti kontakt të rregullt me Epstein për vite me rradhë pas dënimit të tij në vitin 2008.

Në emaile, të dy burrat shkëmbyen përditësime personale dhe kërkuan këshilla nga njëri-tjetri edhe pse raportimet e freskëta detajonin abuzimin e Epstein ndaj vajzave minorene.

Emailet gjithashtu dokumentuan Summers duke diskutuar për një grua që ai po ndiqte dhe duke i kërkuar këshilla Epstein.

Pasojat u zgjeruan pasi disa institucione ndërprenë lidhjet.

Summers i tha Yale Budget Lab dhe Hamilton Project se do largohej nga grupet e tyre këshilluese, ndërsa Qendra për Progresin Amerikan i dha fund bursës së tij dhe Qendra për Zhvillimin Global konfirmoi se ai dha dorëheqjen si kryetar bordi.

Edhe The New York Times zgjodhi të mos vazhdojë marrëdhënien me të. Gazeta raportoi se kontrata e tij njëvjeçare e opinionit nuk do rinovohet në dritën e emaileve, shkruan NY Post.

Ndërkohë, një uebinar me Klubin Ekonomik të Nju Jorkut që ishte planifikuar të përfshinte Summers këtë javë u shty papritur.

Harvard refuzoi të komentojë statusin e tij në universitet, ku ai planifikon të vazhdojë të japë mësim ekonomik.

Kritikët thanë se kontakti disavjeçar tregoi një gjykim të keq të papranueshëm, duke pasur parasysh historinë kriminale të Epstein dhe të dhënat e gjera publike të shfrytëzimit të tij të të miturve.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve thanë se dokumentet që ata publikuan nga pasuria e Epstein hodhën dritë të re mbi lidhjet e tij me figura politike, akademike dhe të medias.

Pjesa e dokumenteve përfshinte shkëmbime mes Summers dhe Epstein deri në vitin 2019, muaj para se financuesi të vdiste në paraburgim federal.

Episodi ka tërhequr edhe Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Trump, përballë shqyrtimit mbi lidhjet e tij me Epstein, tha se do të udhëzonte administratën e tij të shqyrtonte lidhjet e financuesit me Demokratët, duke përfshirë Summers dhe ish-Presidentin Bill Clinton.