
Ushtria izraelite lëshoi të mërkurën pasdite një seri sulmesh ajrore ndaj objektivave të Hezbollahut në Libanin jugor, pak minuta pasi u bëri thirrje banorëve të disa fshatrave të largoheshin nga zonat e rrezikut.
Sipas IDF-së, sulmet nisën rreth orës 15:30 në fshatrat Deir Kifa dhe Chehour, menjëherë pas paralajmërimit publik të zëdhënësit të ushtrisë në gjuhën arabe, Avichay Adraee, i cili u kërkoi banorëve të evakuonin godinat që dyshohen se strehojnë infrastrukturë ushtarake të Hezbollahut.
Brenda 30 minutash, paralajmërime të ngjashme u lëshuan edhe për fshatrat Aynata dhe Tayr Felsay, të cilat u goditën pak më pas.
Në paralajmërimin e tij “urgjent”, Adraee shkroi se IDF-ja do të synonte “infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut për të penguar përpjekjet e tij për të rikthyer aktivitetet në zonë”, duke u bërë thirrje banorëve të largoheshin menjëherë, përcjell Ynet.
Sulmi pasoi një sulm të një dite më parë, ku një goditje izraelite vrau 14 operativë të Hamasit dhe plagosi 28 të tjerë në kampin e refugjatëve Ain al-Hilweh pranë Sidonit. Mediat pranë Hezbollahut e cilësuan sulmin si “masakër”, duke pretenduar se në shënjestër ishin civilët.
Si përgjigje, IDF publikoi një fletë-rekrutim të gjetur në kamp, e cila – sipas saj – u bënte thirrje të rinjve palestinezë t’i bashkoheshin “rezistencës”.
Një nga vendet e rekrutimit, pranë xhamisë Khalid Ibn al-Walid, u godit të martën.
Adraee tha se pretendimet për një “masakër” ishin “përpjekje të dëshpëruara të Hamasit dhe elementëve libanezë për të fshehur terrorizmin e vërtetë”.
Reagime në Liban
Të mërkurën në mëngjes, mediat libaneze transmetuan pamje nga zonat e goditura dhe raportuan një grevë të përgjithshme në kampin Ain al-Hilweh. Shkollat në Sidon u mbyllën në shenjë proteste kundër sulmit izraelit.

Një media pro boshtit shiit shkroi se “kampi u zgjua me plagë që kujtonin vetëm Nakbën”.
Kampi Ain al-Hilweh, një nga 12 kampet palestineze në Liban, mbetet i armatosur rëndë, pavarësisht se muajt e fundit një pjesë e armëve të PLO-së janë dorëzuar tek ushtria libaneze.
Ushtria libaneze njoftoi në shtator se kishte marrë tetë kamionë me armë nga dy kampe palestineze, mes tyre Ain al-Hilweh.
Mediat shtetërore libaneze raportuan për një takim të figurave lokale në Sidon të mërkurën, të cilët po përgatisin një deklaratë të përbashkët kundër sulmit.
Ndërkohë, presidenti libanez Joseph Aoun nuk ka dhënë ende një deklaratë për sulmet.

Zyrtarisht, Presidenca bëri të ditur se biseda e tij me shefin e ushtrisë, gjeneralin Rodolphe Haykal, kishte trajtuar vetëm vrasjen e dy ushtarëve libanezë gjatë një operacioni kundër trafikantëve të drogës në Baalbek, pa përmendur sulmin izraelit.
Reagimi i Hezbollahut
Hezbollah e dënoi ashpër sulmin, duke pretenduar se ai goditi “një zonë të dendur me civilë dhe fëmijë” dhe se përbën “shkelje të sovranitetit të Libanit, marrëveshjes së armëpushimit dhe Rezolutës 1701”.
Grupi deklaroi se çdo “dobësi apo nënshtrim” i institucioneve shtetërore libaneze ndaj Izraelit “do ta inkurajonte edhe më shumë agresionin”.
Ndërkohë, raportime të reja nga Libani të mërkurën në mëngjes flasin për një tjetër viktimë dhe 11 të plagosur nga një goditje izraelite në fshatin At-Tiri, përfshirë nxënës që udhëtonin me një autobus shkolle.
