
Qeveria greke do alokojë më shumë se dy miliardë euro në muajt e ardhshëm për të mbështetur të ardhurat dhe për të ndihmuar në përballimin e krizës së kostos së jetesës, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis të martën.
“Një prioritet është mbështetja e të ardhurave të disponueshme. Ne do alokojmë më shumë se dy miliardë euro në muajt e ardhshëm për mbështetjen e të ardhurave. Nëse do të jepnim më shumë, do të rrezikonim stabilitetin fiskal,” tha ai për transmetuesin shtetëror ERT.
Ai tha se qeveria do t’u japë prioritet të rinjve dhe familjeve me fëmijë, por nuk dha hollësi se si do shpërndahet kjo ndihmë.
Mitsotakis pranoi se çmimet janë jashtëzakonisht të larta në Greqi, para se të shtonte se inflacioni “është një dukuri globale.”
“Mënyra për t’u përballur me problemin është të mbështetet të ardhurat e disponueshme të qytetarëve dhe në të njëjtën kohë të kryhen inspektime në treg për të kufizuar fitimet e paligjshme e spekulimin”, tha ai.
“Por unë këmbëngul që zgjidhja është në fund të fundit që qytetari të ketë më shumë para në portofolin e tij. Dhe kjo bëhet me një reformë tatimore shumë të guximshme që qytetarët do ta shohin nga viti i ardhshëm dhe e cila do të rrisë në mënyrë thelbësore të ardhurat e tyre të disponueshme,” shtoi ai.
Ai tha gjithashtu se, në javët e ardhshme, qeveria do të shpallë masa të reja për të adresuar krizën e strehimit, ndërsa njoftimet për programin e ri të rinovimit të shtëpive priten para fundit të vitit, shkruan Kathimerini.
I pyetur për problemin serioz të trafikut në Athinë, Mitsotakis tha se “nuk ka zgjidhje magjike”, duke shtuar se zgjidhja është mbështetja sistematike e transportit publik, pasi rrugët “nuk mund të ndërtohen në një periudhë shumë të shkurtër kohe.”