Vendosni fjalën kyçe....

Britania paralajmëron Rusinë pas zbulimit të anijes përgjuese “Yantar” pranë ujërave britanike



Mbretëria e Bashkuar ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Rusisë, pasi anija përgjuese “Yantar” u zbulua në kufijtë veriorë të ujërave britanike, pranë Skocisë. Zyrtarët britanikë e përshkruajnë anijen si pjesë të flotës ruse të specializuar për mbikëqyrje në kohë paqeje dhe për sabotim ndaj infrastrukturës nënujore në raste konflikti, përcjell Euronews.

Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se anija ruse kishte drejtuar lazerë ndaj pilotëve të RAF-it, të cilët po monitoronin lëvizjet e saj.

“Mesazhi im për Rusinë dhe Putinin është ky: Ne ju shohim. E dimë çfarë po bëni. Dhe nëse ‘Yantar’ lëviz drejt jugut këtë javë, ne jemi gati”, tha Healey gjatë një fjalimi në Londër.

Sipas tij dhe zyrtarëve të tjerë, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët po ndjekin nga afër veprimtarinë e anijes, me qëllim frenimin e çdo rreziku që ajo mund të paraqesë ndaj kabllove nënujore, tubacioneve dhe infrastrukturës kritike, duke kujtuar sulmet ndaj tubacioneve në Detin Baltik më herët gjatë vitit.

Healey theksoi se nuk është hera e parë që “Yantar” teston mbrojtjen britanike. Vitin e kaluar, pas një paralajmërimi nga Londra, anija u largua drejt Mesdheut. Kur më vonë kaloi nëpër Kanalin Anglez, ajo u ndoq nga fregata britanike HMS Somerset.