
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur shqetësimin për performancën e dobët të sektorëve të bujqësisë dhe industrisë gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2026 në Kuvend.
Ai theksoi se këto dy sektorë strategjikë po përjetojnë rënie të vazhdueshme në çdo tremujor dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria.
“Prodhimi i përgjithshëm shkon në 27 miliardë euro, por i fiksuar shumë fort në ndërtim dhe në turizëm,” deklaroi Braçe, duke shtuar se kjo përqendrim i tepruar përbën një rrezik për ekonominë kombëtare.
Sipas tij, bujqësia dhe industria janë “risku më i madh,” pasi kanë shënuar rënie të njëpasnjëshme në raportet tremujore.
Ai kërkoi që vëmendja e politikave ekonomike të zhvendoset drejt këtyre sektorëve për të garantuar një zhvillim më të qëndrueshëm dhe të balancuar.
“Duhet të fokusohemi atje që të bëjmë gjënë e duhur,” përfundoi Braçe, duke lënë të kuptohet se mbështetja për bujqësinë dhe industrinë duhet të jetë prioritet në zbatimin e buxhetit të ardhshëm.