
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi pas fjalës së kryeministrit Edi Rama në Kuvend, duke e akuzuar se po mbron ministren e pandehur nga SPAK, Belinda Balluku.
Bardhi tha se opozita nuk ka bërë prokurorinë, por vetëm ka cituar prokurorinë, ndërsa pyeti Ramën se çfarë e detyron të bëjë “avokatin e vjedhjes së fondeve publike”.
“Zoti kryetar i Kuvendit, më lejoni që të sjell në vëmendje se dënimet kolektive i kemi lënë pas në kohën e paraardhësve tuaj.
S’ka gjë më etike se t’i kthesh kurrizin një njeriu të korruptuar, një njeri që u paraqit këtu jo si avokat i interesit publik, por avokat i vjedhjes së inceneratorëve, apo i kësaj afere të qeverisë.
Ai nisi mbrojtjen se si ne duhet të bëjmë prokurorin ndaj Belinda Ballukut.
Ne nuk e bëmë prokurorinë, por sollëm në vëmendje se çfarë ka thënë prokurori.
Ne kemi cituar prokurorinë. Po ty çfarë të detyron që të vish në këtë faltore dhe të bësh avokatin e një të pandehure për vjedhje e fondeve publike, prej 50 mln euro.
Shqiptarët presin rritje reale të pagave apo pensioneve.”, tha ai.