Vendosni fjalën kyçe....

Shërbimi sekret MI5 paralajmëron ligjvënësit britanikë: Spiunë kinezë po paraqiten si rekrutues


Shërbimi i sigurisë britanike MI5 ka lëshuar një paralajmërim të ri për ligjvënësit të martën, lidhur me përpjekjet e agjentëve kinezë për të mbledhur informacion dhe për të ndikuar aktivitetet e tyre, duke shtuar akuzat se Pekini po përpiqet të spiunojë parlamentin britanik.

Ligjvënësve iu tha se spiunët kinezë po i synojnë ata duke u paraqitur si rekrutues apo kompani për të krijuar kontakte, me dy individë që kanë përdorur LinkedIn për të “kryer kontakte në masë në emër” të qeverisë kineze.

Kryetarët e dy dhomave të parlamentit thanë se MI5 kishte njoftuar se Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës po “kërkonte në mënyrë aktive të kontaktonte individë në komunitetin tonë”.

Ministri britanik i Sigurisë, Dan Jarvis, i tha parlamentit se alarmi zbulonte “një përpjekje të fshehtë dhe të kalkuluar” të Pekinit për të ndërhyrë në politikën britanike dhe tha se qeveria do të nisë një plan kundërspiunazhi për t’u përballur me kërcënimin.

“MI5 ka deklaruar se kjo veprimtari po kryhet nga një grup oficerësh të inteligjencës kineze, të cilët shpesh maskohen përmes përdorimit të kompanive mbuluese apo rekrutuesve të jashtëm,” tha ai.

Ambasada kineze në Londër nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

 

ÇËSHTJA E SPIUNAZHIT U RRËZUA NË SHTATOR

Paralajmërimi i fundit erdhi pasi MI5 tha në tetor se spiunët kinezë po krijonin oferta të rreme pune për të joshur profesionistët britanikë dhe për të marrë prej tyre informacion, me mijëra shpallje të dyshimta të publikuara në platformat e rekrutimit online.

Prokurorët në shtator braktisën një çështje kundër dy britanikëve të akuzuar për spiunazh ndaj anëtarëve të parlamentit për Kinën, duke thënë se qeveria britanike nuk kishte ofruar prova të qarta se Pekini përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare.

Rënia e çështjes çoi në akuza nga politikanët e opozitës se kryeministri Keir Starmer po i jepte prioritet përmirësimit të marrëdhënieve me Pekinin, në vend të sigurisë kombëtare. Qeveria e mohoi këtë.

Paralajmërimi vjen gjithashtu pak javë para se qeveria të duhet të vendosë nëse do të miratojë një ambasadë të re gjigante kineze në Londër, të cilën kritikët e konsiderojnë rrezik sigurie.

Hetimi u nis nga autoritetet italiane, të cilat po hetojnë pretendimet se të huaj kanë paguar shuma të mëdha parash për…

Jarvis i tha parlamentit se ministrja e Jashtme kishte biseduar me homologen e saj kineze më 6 nëntor për t’i bërë të qartë se çdo veprim që synon të minojë sigurinë kombëtare të Britanisë “nuk do të tolerohet”.

Ai tha se si përgjigje ndaj kërcënimit nga Kina dhe të tjerët, qeveria do të ofrojë fonde të reja për programet e sigurisë, informime për partitë politike dhe kandidatët në zgjedhje, plane për forcimin e rregullave mbi donacionet politike dhe heqjen e pajisjeve të mbikëqyrjes të prodhuara në Kinë nga zonat e ndjeshme.

 

UNIVERSITETET, GJITHASHTU TË PARALAJMËRUARA

Ligjvënësit duhet të jenë të kujdesshëm sepse “Kina ka një prag të ulët për atë që konsideron si informacion me vlerë,” tha Jarvis, duke shtuar se Kina po ndikon edhe në punën akademike në universitetet britanike.

Ai tha se ministrat do të mbajnë një takim të mbyllur me drejtues të universiteteve për të theksuar rreziqet e ndërhyrjes së huaj.

Në fjalimin e tij vjetor muajin e kaluar, drejtori i përgjithshëm i MI5, Ken McCallum, tha se spiunët kinezë paraqesin një kërcënim të përditshëm për sigurinë kombëtare.

Në janar 2022, MI5 dërgoi një njoftim alarmi për avokaten Christine Lee, duke pretenduar se ajo ishte “e përfshirë në aktivitete të ndërhyrjes politike” në Mbretërinë e Bashkuar në emër të Partisë Komuniste të Kinës.
Lee më vonë paditi MI5 për të pastruar emrin, por humbi çështjen.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters