
Shirat e dendur në vend kanë shkaktuar probleme të shumta në mbarë vendin. Më të prekura paraqiten qarqet e Dibrës dhe Lezhës. Në disa fshatra të Kukësit reshjet kanë dëmtuar ura e rrugë. Era ka dëmtuar çatinë e një shkolle në fshatin Bele ndërsa rënie gurësh ka patur në fshatra Lusen, Malqene e Zapod.
Në Kolsh janë dëmtuar rrugët e fshatit Myç-Mamëz dhe Mamëz.
Një familje më Thumanë është zhvendosur për shkak të pranisë së madhe të ujit në banesa, ndërsa problematike paraqitet gjendja në Prull e Pllanë.
Në Durrës ka patur probleme në Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm kurse niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale. Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.
Në qarkun e Dibrës situata paraqitet e qëndrueshme, me përjashtim të ndërprerjes së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall-Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë-Çidhën. Ekipet e OSHEE-së janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve.
Në bashkinë Kurbin, qarku Lezhë, vijon puna për normalizimin e situatës në Mamurras dhe në fshatrat Gjorëm, Zhejë dhe Fushë-Mamurras. Në fshatin Shpërdhe, rruga është dëmtuar nga prurjet e lumit Droje. Po ashtu, puna vazhdon në segmentin Skuraj–Gallatë–Vinjollë, i cili mbetet i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Vinjollë. Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kufijve normalë.
Në qarkun e Kukësit janë raportuar rënie inertesh në disa akse rrugore, dhe kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin e tyre. Segmenti Vranisht–Fajza (njësia Fajza, bashkia Has) është dëmtuar si pasojë e reshjeve.

Në qarkun Shkodër po kryhet pastrimi i inertesh në segmentin Gimaj–Bregu i Lumit (njësia Shalë) nga Forcat e Armatosura dhe punonjësit e bashkisë. Segmenti Ndërlysë–Breg Lumi mbetet ende i bllokuar, por punimet për hapjen e tij janë në vijim.
Në qarkun Elbasan nuk raportohen problematika të tjera, përveç rënies së inertesh në segmentet Elbasan–Librazhd dhe Elbasan–Rrogozhinë, të cilat po pastrohen nga firmat e mirëmbajtjes.
Për sa i përket furnizimit me energji elektrike, AKMC njofton se ekipet e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e energjisë në disa fshatra të njësisë administrative Rubik (Mirditë); në fshatrat Torocish, Kukës, Berishë dhe Lekbibaj të Tropojës; në njësitë Kurvelesh, Zagori, Luftinjë dhe Dropull i Poshtëm (qarku Gjirokastër); si dhe në disa njësi të qarkut Korçë.
Në qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës dhe janë në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e mbrojtjes civile dhe ekipet e emergjencave për marrjen e masave në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.
