Vendosni fjalën kyçe....

“Rama e Balluku duhet të jenë në burg. E djeshma s’ishte protestë kombëtare” – Berisha


Kreu i PD-së Berisha tha sot se kryeministri Rama dhe numri dy i qeverisë Balluku duhet të jenë në burg për vjedhjet e kryera.

Në konferencën e përditshme për shtyp në selinë blu, kryedemokrati tha se Balluku ka administruar 12 miliardë euro.

“Nëse Veliaj është në burg, Rama dhe Lubi Balluku duhet të jenë 10 herë para tij në burg. Ai ka vjedhur shumë, por të krahasosh miliardat që ka administruar Lubia, 12 mld euro. I administronte me telefon, ky palloshi, ai ashtu, etj me radhë. Ajo është kapur në flagrancë me ato mesazhe. A do i falin shqiptarët ata, nuk i falin para këtij realiteti shkatërrimtar për vendin e tyre”, u shpreh Berisha.

Lidhur me pjesëmarrjen e vogël në tubimin e thirrur nga PD-ja mbrëmjen e djeshme, Berisha tha se nuk ishte thirrur miting por ishte një foltore parlamentaro-qytetare.

“Po keqinterpreton të vërtetën. Dua të falënderoj për pjesëmarrjen qytetarët. Dje u mbajt foltorja e re para pallatit të krimit. Ne nuk kemi thirrur miting dhe nuk do të thërrasim. Ne nuk thërrasim. Nëse ne vendosim për një protestë masive, bie ndesh me të parën. Nuk ka qenë protestë kombëtare, por foltore parlamentaro-qytetare. Vijnë ata që duan të vijnë.”, tha Berisha.