
Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos theksoi se pë BE-në, lufta e vendeve kandidate kundër korrupsionit futet ndër kërkesat themelore dhe tejet të rëndësishme.
Përveç luftës kundër korrupsionit, ajo renditi prokurimet publike, luftën kundër krimit të organizuar, sistemin gjyqësor dhe të drejtat e njeriut si pjesë të kapitujve themelorë dhe më të rëndësishëm për sa i përket integrimit.
Lidhur me fondet e IPARD II që janë të ngrira ende nga BE-ja pas problemeve të gjetura nga institucionet e BE-së, Kos tha se duhet shumë kujdes ndërsa vlerësoi punën e SPAK-ut.
DW: Grup-kapitulli që u hap dje ka të bëjë edhe me buqësinë, mes të tjerash. Dhe kur u përmend bujqësia ju theksuat se Shqipëria duhet të bëjë shumë kujdes në menaxhimin e fondeve. Kemi një përvojë të keqe nga e shkuara me fondet e IPARD. Aktualisht, fondet IPARD II janë të ngrira. Dhe fatkeqësisht Shqipëria është vend me nivel të lartë korrupsioni. A mendoni se Shqipëria do jetë në gjendje t’i menaxhojë këto fonde në të ardhmen?
Kos: “Po, jam e sigurt, po duhet të jemi të kujdesshëm. Ka shumë arsye për këtë. Së pari janë paratë e taksapaguesve europianë. Dhe unë jam gjithashtu përgjegjëse për taksapaguesit e BE-së. Se dyti janë bërë përmirësime. Disa raste në Shqipëri kanë treguar se agjencia SPAK po punon dhe nëse shohim se rastet janë zbuluar tregon se gjithashtu ne kemi bërë punë të mirë në procesin e pranimit. Lufta kundër korrupsionit është në grupin e të ashtuquajturave “Themelore”. Do të thotë se kjo është me të vërtetë fusha ku ne bëjmë shumë përpjekje për të ndihmuar vendet kandidate. Nga ana tjetër ato duhet të bëjnë shumë reforma.
Për shembull në Shqipëri është kryer verifikimi i gjyqtarëve. Nuk është vërtet e lehtë. SPAK po jep rezultate. Por kjo nuk është e mjaftueshëm ka të bëjë me ndryshimin e politikës. Një vend mund të ketë ligjet më të mira të mundshme kundër korrupsionit. Por nëse korrupsioni pranohet gjerësisht nga njerëzit, atëherë nuk kemi bërë mjaftueshëm. Pra kjo është pika kryesore e veprimit, është e rëndësishme për ne. Por gjithashtu është diçka ku ne jemi vërtet të rreptë.
Në fakt, unë jam e rreptë dhe ne jemi të rreptë në të gjithë kapitujt që ata duhet të përmbushin. Dua të them se ne hapëm të gjithë grup-kapitujt por tani fillon puna e vërtetë, pra duhet të negociojmë kapitull pas kapitulli. Ata duhet të përmbushin kriteret e ndërmjetme kështu që ka disa kritere që duhet të përmbushin. Pasi të përmbushen ne do jemi në gjendje të mbyllim edhe kapitujt, por krimi i organizuar, anti-korrupsioni, sistemi i prokurimit publik, sistemi gjyqësor, të drejtat e njeriut, gjithçka që është në grupin e parë është kaq e rëndësishme saqë ne e fillojmë me këtë dhe e mbyllim me këtë. Kështu që ne mund të monitorojmë edhe zhvillimet ndërmjet.”