
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë për menaxhimin e situatës së përmbytjeve që kanë goditur disa zona të vendit.
Në një deklaratë për mediat, ai akuzoi ekzekutivin për braktisje të qytetarëve dhe mungesë totale të reagimit institucional.
“Qindra familje në Lezhë, Kurbin, Mat, Dukagjin e Shkodër janë në mëshirën e fatit. Kanë përjetuar tmerre nga vërshimet, ndërsa narkoqeveria është në narkozë. Asnjë ndihmë, asnjë mbështetje,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se paralajmërimet për motin e keq ishin dhënë me kohë nga stacionet meteorologjike, por autoritetet nuk morën asnjë masë parandaluese.
Sipas tij, strukturat e Mbrojtjes Civile janë inekzistente dhe deputetët e opozitës në terren nuk kanë asnjë mjet tjetër përveç solidaritetit.
Berisha e cilësoi situatën si pasojë të një qeverie të zhytur në skandale dhe të përqendruar vetëm në fshehjen e gjurmëve të korrupsionit: “Një qeveri e ngërthyer nga superskandalet nuk ka asnjë preokupim tjetër përveçse si të fshehë krimet dhe vjedhjet që ka kryer.”