Vendosni fjalën kyçe....

Xhixho u bën thirrje qytetarëve për protestën e sotme: Të bashkohemi të gjithë


Zv. presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës së opozitës, e cila do të mbahet sot në orën 18:00 përballë Kryeministrisë.

Në deklaratën e saj, Xhixho akuzoi qeverinë për hartimin e ligjeve pa transparencë dhe pa konsultim publik, duke theksuar se këto nisma bien ndesh me vlerat e shoqërisë shqiptare.

Sot në orën 18:00, bashkohemi të gjithë në protestë përballë Kryeministrisë! Sepse familjet dhe fëmijët e këtij vendi meritojnë politika që i mbrojnë, jo ligje të hartuara pa transparencë, pa konsultim dhe në kundërshtim me vlerat e shoqërisë shqiptare, deklaroi Xhixho.

Ajo theksoi se ekonomia e familjeve shqiptare po rëndohet çdo ditë nga rritja e kostove të jetesës, ndërsa, sipas saj, qeveria vijon me abuzime, afera klienteliste dhe premtime të pambajtura.

Sepse ekonomia e familjeve shqiptare po rrënohet përditë nga rritja e kostove bazë të jetesës, ndërsa qeveria vazhdon me abuzimet, aferat klienteliste dhe premtimet e pambajtura, u shpreh Xhixho.

Ajo shtoi se demokracia në vend është “nën sulm”, duke akuzuar qeverinë për kapjen e institucioneve dhe shpërfilljen e zërit të qytetarëve.

Të ngremë zërin bashkë! Shqipëria ka qytetarë të ndershëm, punëtorë dhe patriotë që nuk pranojnë të heshtin përballë padrejtësive. Të gjithë bashkë, sot në orën 18:00 protestojmë për familjen, për ekonominë, për demokracinë!”, përfundoi zv. presidentja e PL.