
Edhe këtë vit, Panairi i Librit 2025 i zhvilluar në Tiranë solli mijëra tituj dhe qindra autorë, të huaj edhe shqiptarë, por e veçanta e tij ishin edhe shkrimtarët e rinj fitues nga Fondacioni për të rinjtë.
Një zë mes tyre ishte edhe ai i shkrtimtares së re Xhensila Dautllarit, vetëm 21 vjeçe, por tashmë një prej zbulimeve domethënëse të letërsisë së re shqipe.
Romani i saj “Anahera”, një thriller i ndërtuar me finesë, ka bërë atë që pak autorë të rinj arrijnë në fillimet e tyre, të krijojë frymëzim dhe të ngrejë pritshmëri të reja për gjithë brezin e ri krijues.
Edhe pse gjinia e thrillerit në Shqipëri është jo shumë e lëvruar, Dautllari vjen jo vetëm si risi, por si një shembull i qartë se letërsia jonë mund të rritet, të zgjerohet dhe të sfidojë vetveten.
Kritikët e kanë vlerësuar menjëherë. Arta Marku, një prej zërave më seriozë të kritikës letrare, u shpreh se Xhensila është pjesë e një brezi të ri që po e shtrin horizontin e letërsisë shqipe, duke sjellë prurje që “ia vlen të merren në konsideratë”.
Ç’është më e rëndësishme, Dautllari vjen pa bujë të panevojshme. Duket sikur ajo nuk kërkon të imponojë në këtë Panair talentin e vet, por ta dëshmojë atë me një vepër të ndërtuar me kujdes, nëpërmjet imagjinatës së saj, me një guxim që të kujton se letërsia e re ka nevojë për zëra të vërtetë.


