
Sot në Bruksel mbahet Konferenca e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të hapet grupkapitulli i fundit i negociatave, duke shënuar hapjen e të gjithë kapitujve brenda një periudhe 12-mujore.
Në këtë konferencë do të marrë pjesë Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni dhe përfaqësues të tjerë të delegacionit shqiptar. Mbledhja ka në fokus hapjen e negociatave për Grup-Kapitullin V: “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
Pas punimeve, është parashikuar një konferencë e përbashkët për shtyp me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama, Komisioneres për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, dhe Ministres së Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre.
Çfarë përfshin Grupkapitulli V
Grupkapitulli V përfshin pesë kapituj të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit:
Kapitulli 11: Bujqësia dhe Zhvillimi Rural
Kapitulli 12: Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Fitosanitare
Kapitulli 13: Peshkimi
Kapitulli 22: Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore
Kapitulli 33: Dispozitat Financiare dhe Buxhetore
Sipas dokumenteve zyrtare, ky grupkapitull synon modernizimin e bujqësisë, rritjen e kapaciteteve prodhuese, dixhitalizimin e zinxhirit ushqimor dhe forcimin e kontrolleve të sigurisë ushqimore. Po ashtu, pritet të avancojë përgatitjet e vendit për menaxhimin e fondeve të BE-së dhe pjesëmarrjen efektive në politikat e zhvillimit rajonal.
Hapja e këtij grupkapitulli konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe konsolidimit të reformave të nevojshme në sektorët ekonomikë dhe institucionalë.