Vendosni fjalën kyçe....

Basha kujton vrasjet e 2 prillit të 1991-shit në Shkodër: Emrat e 4 martirëve kumbojnë fort në ndërgjegjen tonë, na japin siguri se jemi në rrugën e fitores


Lulzim Basha ka kujtuar sot 30-vjetorin e vrasjes së 4 personave në Shkodër, të Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës. Ngjarje e ndodhur më 2 Prill të vitit 1991.

Në një postim në Facebook, kreu i PD-së thotë se ata u vranë nga regjimi i Partisë së Punës sepse guxuan t’ia thonë në sy se koha e tyre kishte përfunduar dhe shqiptarët kishin zgjedhur lirinë dhe Europën.

“Si sot 30 vjet më parë, më 2 prill 1991, regjimi gjakatar i Partisë së Punës vrau pa mëshirë dhe qëllimisht 4 djem të rinj, bij të Shkodrës dhe pishtarë të demokracisë.

Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka u qëlluan nga falangat e regjimit që po jepte shpirt, sepse guxuan t’ia thonë në sy dhe publikisht diktaturës në panik se koha e saj kishte përfunduar dhe shqiptarët kishin zgjedhur lirinë dhe Europën.

Ai lumë njerëzish të lirë që vërshoi në rrugët dhe sheshet e Shkodrës dëshmoi se edhe në momentet më të vështira dhe përballë tiranisë më të pashpirt, shqiptarët janë të gatshëm të përqafojnë lirinë me çdo çmim.

Heronjtë e 2 prillit janë heronjtë e gjithë Shqipërisë. Dëshira, guximi dhe përpjekja për ta bërë Shqipërinë një vend të lirë, ngritën themelet e ndërtimit të një shteti demokratik. Përpjekje nga e cila ne nuk kemi hequr dorë asnjëherë dhe për të cilën punojmë çdo ditë.”– shkruan Basha.

Ai shprehet se emrat e 4 martirëve kumbojnë në ndërgjegjen e shqiptarëve dhe se i japin atij sigurinë se është në rrugën e fitores.

“Kjo ditë i jep një kuptim të veçantë dhe lëvizjes që ne kemi nisur sot.

30 vite më pas, 2 prilli, emrat e 4 martirëve të asaj dite të zymtë kumbojnë fort në ndërgjegjen tonë dhe na japin sigurinë se jemi në rrugën e drejtë dhe në rrugën e fitores mbi të keqen, të ndryshimit që po vjen për çdo shqiptar, në rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa. Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!”- shton kryedemokrati.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *