
Një shpërthim që dëmtoi një rrjet hekurudhor polak në një rrugë që çonte drejt Ukrainës ishte një “akt sabotimi i paparë”, tha kryeministri Donald Tusk të hënën, dhe ai u zotua të kapë përgjegjësit për një incident që sipas tij mund të kishte përfunduar në tragjedi.
Shpërthimi në linjën Varshavë-Lublin pason një valë zjarrvëniesh, sabotazhesh dhe sulmesh kibernetike që kanë goditur Poloninë dhe vende të tjera evropiane që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Varshava në të kaluarën ka bërë përgjegjëse Rusinë, duke thënë se Polonia është bërë një nga objektivat më të mëdha të Moskës për shkak të rolit të saj si një qendër për ndihmën ndaj Kievit. Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur se është përgjegjëse për akte sabotimi.
“Hedhja në erë e shinave të trenit në rrugën Varshavë-Lublin është një akt sabotimi i paprecedentë që synon sigurinë e shtetit polak dhe qytetarëve të tij,” shkroi Tusk në X.
“Një hetim është duke u zhvilluar. Ashtu si në rastet e mëparshme të kësaj natyre, ne do t’i kapim autorët, pavarësisht se kush janë mbështetësit e tyre.”
Varshava tha në tetor se Polonia dhe Rumania kishin ndaluar tetë persona të dyshuar për planifikimin e sabotazheve në emër të Rusisë, shkruan Reuters.
Policia lokale tha të dielën se një makinisti treni kishte raportuar dëme në linjën hekurudhore, por autoritetet nuk ishin në gjendje të konfirmonin menjëherë se ishte rezultat i sabotimit.
“Kjo rrugë përdoret gjithashtu për të transportuar armë në Ukrainë,” tha Tusk në një video.
“Për fat të mirë, nuk ndodhi asnjë tragjedi, por implikimet ligjore janë shumë serioze.”
Ministri i Mbrojtjes, ëladyslaë Kosiniak-Kamysz, tha se ushtria po inspektonte një shtrirje prej 120 km të shinave që çon në kufirin ukrainas.