Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në Komisionin për Çështjet e Brendshme, Çuçi përjashton Flamur Nokën nga seanca


Një incident verbal shënoi mbledhjen e Komisionit për Çështjet e Brendshme këtë të hënë, gjatë raportimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

 Përplasja ndodhi mes kryetarit të komisionit, Bledi Çuçi, dhe deputetit demokrat, Flamur Noka.

Ndonëse nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi debatit, në sallë u dëgjua Çuçi t’i drejtohej Nokës me fjalët: “Kë sheh, kë sheh…?” Menjëherë pas kësaj, kryetari ndërpreu seancën dëgjimore.

Pas rifillimit të mbledhjes, Çuçi lexoi rregulloren dhe njoftoi përjashtimin e deputetit të PD-së, duke i kërkuar atij të largohej nga salla.

“Ju përjashtoj nga seanca dëgjimore për fyerje të kryetarit të Komisionit. Ju lutem, lëreni mbledhjen. Jeni i përjashtuar sepse pengoni punimet, fyeni dhe kërcënoni drejtuesin e seancës dhe të institucionit. Lëreni sallën të vazhdojë punimet. Nëse vazhdoni, do t’i kërkoj Parlamentit të marrë masë 10-ditë përjashtim. Lëreni sallën, jeni i përjashtuar,” deklaroi Çuçi.

Incidenti solli tension brenda komisionit, ndërsa seanca vijoi pa praninë e deputetit Noka.