Vendosni fjalën kyçe....

PD mban sot protestën e platformës “Parlamenti para Kryeministrisë”



Partia Demokratike zhvillon sot protestën e saj para Kryeministrisë, në atë që selia blu e ka cilësuar si fillimin e një aksioni të përjavshëm opozitar. Sipas njoftimeve të PD-së, protesta do të mbahet në formën e një platforme parlamentare me podium dhe foltore në Bulevard, ndërsa thirrja e një proteste kombëtare mbetet e rezervuar për një moment tjetër në javët e ardhshme.

Tubimi i sotëm është i pari i PD-së pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe është paraqitur si nisja e nismës “Parlamenti para Kryeministrisë”.

Opozita ka intensifikuar reagimet pas hetimeve për aferën 50 milionë euro të tunelit të Llogarasë, ku ish-ministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, si edhe për kufizimin e debatit parlamentar. PD akuzon mazhorancën se pengon zhvillimin normal të seancave në Kuvend dhe kufizon hapësirat e fjalës së opozitës.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se protesta synon të krijojë një hapësirë të re për opozitën dhe të rikthejë debatin politik. Në një reagim në rrjetet sociale, ai e cilësoi këtë si “hapin më të rëndësishëm kundër narkoparlamentit”, duke kritikuar mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe mungesën e debatit për çështje thelbësore si programi qeverisës apo buxheti.

Ndërkohë, për shkak të protestës, perimetri përreth Kryeministrisë është siguruar me mbrojtëse metalike, si masë parandaluese për mbarëvajtjen e tubimit.