
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara votoi të hënën në mbështetje të planit të paqes për Gazën të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, si dhe për dhënien e mandatit të OKB-së për krijimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila pritet të dislokohet në Rripin e Gazës, përcjell JPost.
Nga 15 anëtarët e Këshillit, 13 votuan pro propozimit, ndërsa Rusia dhe Kina abstenuan.
Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit janë SHBA, Britania e Madhe, Rusia, Kina dhe Franca. Dhjetë vendet e tjera mbajnë anëtarësi të përkohshme. Aktualisht këto vende janë Algjeria, Danimarka, Greqia, Guajana, Pakistani, Panama, Koreja e Jugut, Sierra Leone, Sllovenia dhe Somalia.
Para nisjes së seancës, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, deklaroi se “komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet për çarmatimin e Hamasit, dhe Izraeli do të sigurojë që kjo të ndodhë, në një mënyrë ose në një tjetër.”
Gjatë debatit në Këshillin e Sigurimit, Danon theksoi se çdo plan për të ardhmen e Gazës kërkon “çarmatimin e plotë dhe parandalimin e riarmatimit të Hamasit.”
Hamas e refuzoi rezolutën e miratuar nga Këshilli i Sigurimit, duke deklaruar se ajo nuk plotëson të drejtat dhe kërkesat e popullit palestinez dhe synon të imponojë një “kujdestari ndërkombëtare” mbi Rripin e Gazës, gjë që kundërshtohet nga palestinezët dhe “fraksionet e rezistencës.”
Sipas deklaratës së grupit:
“Shpërndarja e forcës ndërkombëtare me detyra dhe role brenda Rripit të Gazës, përfshirë çarmatimin e rezistencës, ia heq asaj neutralitetin dhe e kthen në palë të konfliktit në favor të okupimit.”