Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Projekti i Zadejës po hetohet për diferenca të mëdha financiare



Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një intervistë për emisionin “Log.” në News24, ka komentuar hetimet që SPAK po zhvillon ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila prej javësh është marrë e pandehur.

Bardhi tha se një nga çështjet nën hetim lidhet me projektin e parkut fotovoltaik në digën e Zadejës, ku sipas tij ka “diferenca të pajustifikueshme” në vlerësimin financiar të punimeve.

Sipas Bardhit, për të njëjtin projekt dhe të njëjtën fuqi të instaluar, një subjekt privat do të paguante rreth 3 milionë euro, ndërsa institucionet shtetërore të drejtuara nga Balluku kanë paguar 8 milionë euro.
“Projektet janë të njëjta, nga e njëjta kompani që zonja e ka shpallur fituese. Kur e ofron për Belindën zhduken 5 milionë, ndërsa kur e bën për privatin shkon aq sa është,” u shpreh ai.

Ai shtoi se diferencat e çmimit janë të verifikueshme edhe përmes një tenderi tjetër të hapur nga vetë SPAK për panele fotovoltaike. “SPAK kishte hapur një tender për fotovoltaikë në tarracë, me të njëjtin çmim që kishte marrë privati në rastin e parë. E kanë provuar vetë,” deklaroi Bardhi.

Sipas tij, këto të dhëna ngrenë dyshime të qarta për abuzim me fondet publike.
“Kjo ndërtohet me 2 lekë, zonja e ka bërë me 5 lekë,” përfundoi ai.