Vendosni fjalën kyçe....

Varka me emigrantë mbytet pranë San Diegos, katër të vdekur


Një varkë prej druri, e dyshuar se transportonte emigrantë që synonin të hynin në Shtetet e Bashkuara, u përmbys në detet e trazuar pranë San Diego-s, Kaliforni, duke lënë të paktën katër persona të vdekur, njoftoi Garda Bregdetare amerikane të shtunën për DW.

Varka u pikas fillimisht nga Patrulla Kufitare pranë Imperial Beach, vonë të premten. “Ekuipazhet tona reaguan menjëherë, por ky rast tregon rreziqet ekstreme për personat që përpiqen të hyjnë në SHBA me mjete të paqëndrueshme detare,” tha komandanti Robert Tucker.

Autoritetet besojnë se mjeti lundrues u përmbys nga stuhia e fuqishme që goditi Kaliforninë Jugore gjatë fundjavës, e cila solli paralajmërime për përmbytje të menjëhershme.

Gjashtë persona u gjetën në breg pak para mesnatës; njëri u shpall i vdekur në vendngjarje, katër u shtruan në spital dhe një person iu dorëzua Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Rreth dy orë më vonë, një ekip i Gardës Bregdetare gjeti tre trupa të pajetë në det, pranë Imperial Beach Pier.

Sipas autoriteteve, kërkimet vazhdojnë për persona të tjerë që mund të kenë qenë në bord. Disa prej të mbijetuarve raportuan se janë shtetas meksikanë, ndërsa identitetet e të tjerëve nuk janë konfirmuar.

Çdo vit, mijëra emigrantë nga vende të ndryshme, të arratisur nga varfëria dhe dhuna, tentojnë të hyjnë në SHBA përmes Meksikës. Për të shmangur zonat tokësore të fortifikuara, shumë prej tyre zgjedhin rrugën detare, një itinerar që shpesh rezulton fatal. Në maj, tre persona humbën jetën në një tjetër mbytje varke pranë kufirit SHBA–Meksikë, ndërsa në vitin 2023 u raportuan tetë viktima nga dy mjete që u përmbysën në brigjet e San Diego-s.