
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka paraqitur një kërkesë zyrtare GJKKO-s, ku kërkon të njihet personalisht me dosjen hetimore që ka çuar në arrestimin e tij. Sipas Veliajt, mungesa e aksesit në aktet e dosjes përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të tij kushtetuese.
Në kërkesën drejtuar gjykatës, ai thekson se ritmi i shpejtuar i procedurës dhe refuzimi i gjykatës për t’i dhënë dosjen, krijojnë një situatë ku “drejtësia rrezikon të kthehet në një procedurë formale, pa kuptim real”.
“Nëse gjykata, pavarësisht kësaj kërkese legjitime dhe detyrimeve të saj të drejtpërdrejta kushtetuese, vijon të refuzojë të drejtën time për t’u njohur me aktet, atëherë jam i detyruar të deklaroj me përgjegjësi të plotë se: Vijimi i procesit pa u njohur unë personalisht me dosjen përbën një mohim thelbësor të drejtësisë, një shkelje flagrante të garancive kushtetuese dhe një tregues serioz se gjykata nuk po ruan distancën e nevojshme nga pretendimet e prokurorisë, por po shndërrohet në pjesë të një skenari procedural të ndërtuar prej saj.
Një proces në të cilin: prokuroria grumbullon për dy vite dokumente e mijëra faqe pa asnjë filtër, pa asnjë analizë selektive dhe pa asnjë orientim substancial të hetimit; gjykata shpejton procedurën në mënyrë të pashpjeguar dhe pa asnjë arsye kushtetuese apo ligjore; dhe i akuzuari nuk ka mundësi të njihet personalisht me dosjen mbi bazën e së cilës i është hequr liria; nuk mund të konsiderohet më një proces gjyqësor, por shndërrohet në një procedurë formale ku drejtësia zhvishet nga kuptimi i saj real dhe gjykata vendos veten, me veprim apo mosveprim, në funksion të një skenari të ndërtuar nga prokuroria dhe të riprodhuar mekanikisht edhe nga vetë ajo.
Unë nuk kam përgjegjësi dhe as mund të kem për faktin që prokuroria ka zgjedhur të hetojë për dy vite me radhë, të prodhojë 60.000 faqe aktesh dhe të lodhet në përpjekjen për të ndërtuar një akuzë që më mohon lirinë.
Kjo kohëzgjatje dhe ky volum nuk mund të kthehen në mënyrë absurde në një barrë shtesë kundër meje, duke më mohuar kohën dhe mundësinë minimale për t’u mbrojtur.
Prandaj, lodhja, koha, volumi dhe ritmi i prokurorisë nuk janë dhe nuk mund të jenë asnjëherë arsye për të më shkelur të drejtën e mbrojtjes. Ato janë zgjedhje të organit të akuzës jo arsye për të kufizuar më tej të drejtat e mia kushtetuese.”, thuhet në kërkesën e Veliajt.