Vendosni fjalën kyçe....

Thasë me para, tualet floriri, bashkëpunëtori në kërkim – Kriza e korrupsionit që ka përfshirë qeverinë e Zelensky-t


Kontrollet nga autoritetet  brenda apartamenteve luksoze në Kiev, njëri me një tualet floriri. Fotografi të çantave të mbushura me para. Regjistrime audio të zyrtarëve që diskutojnë strategjitë e pastrimit të parave.

Këto janë disa nga hollësitë që kanë tronditur ukrainasit gjatë javës së kaluar, ndërsa administrata e presidentit Volodymyr Zelensky u përfshi në skandalin më të madh të korrupsionit që kur mori detyrën, duke destabilizuar udhëheqjen e Kievit në një çast kritik në luftë.

Zelensky dhe ndihmësit e tij më të afërt u përpoqën këtë verë të neutralizonin agjencitë e pavarura kundër korrupsionit, ndërsa po finalizonin një hetim të gjerë që synonte rrethin e brendshëm të presidentit. Por presidenti ukrainas dhe aleatët e tij u detyruan të braktisin përpjekjen pas protestave masive dhe zemërimit nga partnerët perëndimorë të vendit.

Hetuesit këtë javë publikuan një sasi të madhe provash të hollësishme, duke përfshirë pretendime dëmtuese se figura të larta po merrnin ryshfete nga projektet e ndërtimit për të mbrojtur termocentralet nga sulmet me raketa ruse, në një kohë kur ukrainasit po jetojnë me ndërprerje ditore të energjisë me rotacion.

Zbulimet shkaktuan një valë zemërimi publik – “si e grabitën vendin miqtë e presidentit në kohë lufte” shkruhej në një titull tipik në faqen e lajmeve Ukrainska Pravda – dhe detyruan një ndryshim të kursit.

Zelensky më në fund iu kthye të dyshuarve në një përpjekje për të mbrojtur presidencën e tij. Të mërkurën, presidenti ukrainas kërkoi dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë German Galushchenko dhe ministres së Energjisë Svitlana Hrynchuk, të cilët më pas u hoqën nga këshilli i sigurisë kombëtare.

Ai gjithashtu vendosi sanksione ndaj Timur Mindich, një mik dhe ish-partner biznesi i akuzuar për rastin. Hetuesit thanë se Mindich ishte “bashkëorganizator” i skemës së dyshuar dhe se rreth 100 milionë dollarë fonde të paligjshme kaluan nëpër zyrën e tij.

“Ai kontrollonte punën e të ashtuquajturës ‘lavanteri’, ku pastroheshin fondet e përfituara në mënyrë kriminale,” tha Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU). Mindich nuk mund të kontaktohej menjëherë për koment.

Pavarësisht kthesës në qasjen e Zelensky-t, përgjigja e tij është kritikuar si ngurruese, ndërsa politikanët janë gati për zbulime të mëtejshme që mund të dëmtojnë më tej aleatët e ngushtë të njeriut që udhëheq Ukrainën gjatë luftës së saj brutale me Rusinë.

Serhiy Fursa, një bankier investimesh dhe komentator politik ukrainas, shkroi të mërkurën: “Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që presidenti ukrainas, që qeveria ukrainase, të humbasë legjitimitetin e saj gjatë luftës. Përndryshe, ne rrezikojmë të humbim shtetin në të njëjtën mënyrë si gjatë Luftës së Parë Botërore, kur dezertimi në front erdhi mbi dëshpërimin masiv dhe mosmarrëveshjen politike.”

Ministrja e Energjisë Svitlana Hrynchuk, në të djathtë u detyrua të dorëhiqet të mërkurën

NABU tha më herët këtë javë se kishte kryer më shumë se 70 kontrolle dhe kishte arrestuar pesë persona në një “operacion në shkallë të gjerë” me Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit (SAPO) për të ekspozuar ryshfetin në sektorin e energjisë.

Hetuesit thanë se zyrtarët dhe figurat e biznesit kishin komplotuar për të detyruar furnizuesit e Energoatom, kompanisë bërthamore të vendit, të paguanin ryshfete me vlerë 10 deri në 15 për qind të vlerës së çdo kontrate.

Rezultati i hetimit 15-mujor, i cili NABU tha se mblodhi më shumë se 1,000 orë prova përgjimi, shkaktoi tërbim në Ukrainë. NABU tha se disa ryshfete u morën nga kontraktorë të punësuar për të ndërtuar struktura për të mbrojtur nënstacionet nga dronët dhe sulmet me raketa ruse.

“Tani Zelensky po mban distancën nga njerëzit e implikuar në këtë rast, dhe ai po përpiqet veçanërisht të shmangë lidhjen me Mindich,” tha Volodymyr Fesenko, një shkencëtar politik me bazë në Kiev.

Mindich, i cili bashkëzotëron kompaninë e argëtimit Kvartal 95 të cilën Zelensky ishte bashkëthemelues, u njoftua paraprakisht dhe iku nga Ukraina orë para hetimit, sipas kryedetektivit të NABU, Oleksandr Abakumov.

Një tjetër mik i ngushtë dhe aleat i Zelensky-t, ish-zëvendëskryeministri Oleksiy Chernyshov, u akuzua nga NABU se kishte marrë para në dorë në vlerën e 1.2 milionë dollarë dhe 100,000 euro.

Ai është akuzuar për pasurim të paligjshëm, por mohon të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar, ashtu si Galuschenko. Hrynchuk, ministrja e Energjisë, nuk është implikuar drejtpërdrejt në këtë rast.

Zelenskyy u detyrua të ndalonte një përpjekje për të vënë NABU dhe SAPO nën kontrollin e prokurorit të përgjithshëm pas protestave të rralla në rrugë

Trajtimi i skandalit nga Zelensky ka qenë “shumë i ngadaltë dhe shumë i dobët,” tha Daria Kaleniuk, drejtore ekzekutive e Qendrës së Veprimit Kundër Korrupsionit, një vëzhgues me bazë në Kiev.

Zelensky komentoi për herë të parë mbi pretendimet e reja kundër bashkëpunëtorëve të tij të hënën në mbrëmje, duke shprehur mbështetje për hetimin pa u zotuar për ndonjë veprim.

Kërkesa e tij që dy ministrat të jepnin dorëheqjen erdhi të martën, disa orë pasi kryeministrja Yulia Svyrydenko njoftoi pezullimin e Galushchenko, një vendim i kritikuar menjëherë nga figurat e shoqërisë civile si i pamjaftueshëm.

“Një pezullim i përkohshëm, madje as shkarkim…a do ishte kyreagimi i një presidenti që me të vërtetë nuk dinte asgjë?” tha Vitaliy Shabunin, një aktivist i shquar kundër korrupsionit, menjëherë pas pezullimit.

Më pas, presidenti ukrainas kaloi në shkarkimin e dy ministrave dhe vendosi sanksione ndaj Mindich dhe një biznesmeni tjetër të akuzuar në këtë rast.

Një foto e një tualeti të artë që thuhet se është nga një nga banjot në apartamentin e ish-partnerit të Zelensky-t në biznes, Timur Mindich

Svyrydenko tha të enjten se kishte urdhëruar një “audit të plotë” të kompanive kryesore shtetërore të energjisë dhe mbrojtjes.

Vlerësimet e Zelenskyt ranë në verë pasi protestat e rralla në rrugë gjatë kohës së luftës e detyruan atë të ndërpresë një përpjekje për të vënë NABU dhe SAPO nën kontrollin e prokurorit të përgjithshëm, një figurë e emëruar nga vetë Zelensky.

“Por në korrik bëhej fjalë për një ndjenjë të përgjithshme padrejtësie… ishte ende mjaft abstrakte,” tha Anastasia Radina, një ligjvënëse me partinë Shërbëtori i Popullit të Zelensky-t dhe kryetare e komitetit kundër korrupsionit të parlamentit.

“Tani bëhet fjalë për sjellje të keqe shumë specifike, emra shumë specifikë, shuma parash shumë specifike.”

Një komision i posaçëm parlamentar do marrë në pyetje të hënën agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit rreth “veprimeve sistematike të ndërmarra për të eliminuar rreziqet e korrupsionit në procedura, dhe në Energoatom në radhë të parë,” tha Radina.

Aleatët e presidentit dhe disa aktivistë kundër korrupsionit kanë vlerësuar faktin që NABU mund të kryejë një hetim në shkallë të gjerë që synon zyrtarë të lartë qeveritarë dhe figura të lidhura drejtpërdrejt me kreun e shtetit edhe në kohë lufte. Ata thanë se kjo tregoi qëndrueshmërinë e agjencive kundër korrupsionit të krijuara pas revolucionit pro-perëndimor Maidan të vitit 2014.

Situata “demonstron në mënyrë bindëse transformimin e Ukrainës,” shkroi Mykhailo Podolyak, këshilltar i kreut të zyrës presidenciale, në X. Ambasadorja e BE-së në Kiev, Katarína Mathernová, tha se hetimi dhe reagimi i autoriteteve ishin “një sinjal i fortë se institucionet e pavarura të Ukrainës po funksionojnë”.

Hetimi “është një histori suksesi, një shenjë pozitive,” tha Kaleniuk.

“Megjithatë, presioni me të cilin janë përballur NABU dhe SAPO është i çmendur… Është një histori që mund të jetë pozitive, por vetëm nëse Zelensky zgjedh anën e NABU dhe SAPO, dhe të popullit të Ukrainës.”

Aktivistët thonë se agjencitë e zbatimit të ligjit besnike ndaj presidentit kanë një model të presionit ndaj institucioneve të pavarura kundër korrupsionit. Në korrik, shërbimi i sigurisë i Ukrainës (SBU) ndaloi një detektiv të NABU; Ruslan Mahamedrasulov, i cili mbetet në paraburgim dhe akuzohet se ka lehtësuar eksportin e kërpit në rajonin Dagestan të Rusisë.

Aktivistët kundër korrupsionit i hodhën poshtë akuzat si të motivuara politikisht. Këtë javë, kryedetektivi i NABU Abakumov tha se Mahamedrasulov kishte hetuar korrupsionin brenda Energoatom.

Aktivistët kundër korrupsionit thonë se akuzat kundër detektivit të NABU, Ruslan Mahamedrasulov, i cili mbetet në paraburgim, janë të motivuara politikisht

Navigimi nëpër krizë është veçanërisht i rrezikshëm për shoqërinë civile të gjallë të Ukrainës, si dhe për opozitën e vendit. Të dyja i janë përmbajtur kryesisht kritikave ndaj Zelenskyt pas pushtimit të plotë rus të vitit 2022 dhe kanë rënë dakord se zgjedhjet do ishin të pamundura në kohë lufte.

Solidariteti Evropian, një parti opozitare e udhëhequr nga ish-presidenti dhe rivali i kahershëm i Zelenskyy, Petro Poroshenko, ka përsëritur kërkesën e saj që qeveria aktuale të zëvendësohet nga një “qeveri uniteti” teknokrate për të përfshirë figura opozitare.

Por ajo ka ndaluar së kërkuari dorëheqjen e Zelensky-t.

“Ne jemi ende në luftë,” tha Rostyslav Pavlenko, një deputet dhe aleat i Poroshenko.

Analistët dhe figurat politike kanë vënë në dukje se zbulimet e reja nga hetimi mund të destabilizojnë më tej presidentin.

Një prokuror i SAPO pretendoi gjatë një seance dëgjimore të martën në Gjykatën e Lartë kundër korrupsionit se ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, një aleat i besuar i Zelenskyt, mund të jetë “ndikuar” nga Mindich. Umerov nuk është akuzuar dhe mohon çdo përfshirje.

“Unë mendoj se tani, si shoqëria ashtu edhe klasa politike e kuptojnë se një krizë politike do të ishte shumë e rrezikshme,” tha Fesenko, analisti politik.

“Shumë varet nga hapat e ardhshëm të hetimit, nëse do dalë informacion i ri që përfshin Zelenskyn ose zyrën e presidentit…atëherë sigurisht, do jetë një raund i ri.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT