Vendosni fjalën kyçe....

Trump i kërkon Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së të hetojnë lidhjet e Bill Clinton dhe bankës  JPMorgan me Epstein


Donald Trump ka thënë se do t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së të nisin hetime të gjera për lidhjet e Jeffrey Epstein me gjigantin bankar JPMorgan Chase, si dhe me demokratë të shquar, përfshirë ish-presidentin Bill Clinton, Lawrence Summers dhe Reid Hoffman.

Komentet e presidentit amerikan në një postim në Truth Social të premten vijnë ndërsa ai përpiqet të zbusë polemikën mbi lidhjen e tij me financierin e ndjerë të turpëruar dhe shkelësin seksual, e cila u ndez sërish këtë javë pas publikimit nga Kongresi të një thesari dokumentesh lidhur me Epstein.

“Unë do t’i kërkoj Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi dhe Departamentit të Drejtësisë, së bashku me patriotët tanë të mëdhenj në FBI, të hetojnë përfshirjen dhe marrëdhëniet e Jeffrey Epstein me Bill Clinton, Larry Summers, Reid Hoffman, J.P. Morgan, Chase, dhe shumë njerëz dhe institucione të tjera, për të përcaktuar se çfarë po ndodhte me ta,” shkroi Trump në postim.

“Të dhënat tregojnë se këta burra, dhe shumë të tjerë, kaluan pjesë të mëdha të jetës së tyre me Epstein-in, dhe në “Ishullin” e tij. Qëndroni në pritje!!!” shtoi ai.

Clinton, Summers, ish-sekretari i Thesarit i SHBA-së dhe profesor në Universitetin e Harvardit, dhe Hoffman nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Një zëdhënës i JPMorgan tha se banka shprehu keqardhje për “çdo lidhje që kishim me atë njeri, por nuk e ndihmuam atë të kryente aktet e tij të urryera” dhe se i preu lidhjet me Epstein-in “vite përpara arrestimit të tij me akuza për trafik seksi”.

Banka shtoi se qeveria amerikane “kishte informacion për krimet e tij dhe nuk arriti ta ndajë atë me ne ose bankat e tjera”.

Epstein ishte një klient i bankës private të JPMorgan nga viti 1998 der në 2013, vite pas pranimit të fajësisë në vitin 2008 për kërkim seksi me një të mitur.

Marrëdhënia e zgjatur ka qenë e sikletshme për JPMorgan, me hollësitë e marrëdhënieve të saj me Epstein-in që u zbuluan dy vjet më parë në një padi kundër bankës nga Ishujt e Virgjër të SHBA-së, ku financieri i turpëruar kishte një ishull privat. JPMorgan ra dakord të paguante 75 milionë dollarë për të zgjidhur rastin e USVI.

Shumë mbështetës të Trump-it prisnin që të gjitha dokumentet lidhur me Epstein-in të publikoheshin gjatë mandatit të tij të dytë. Bondi në shkurt i tha Fox News se lista e klientëve të shkelësit seksual të fëmijëve të ndjerë “ishte në tavolinën time tani për shqyrtim”.

Por pesë muaj më vonë Departamenti i Drejtësisë dhe FBI arritën në përfundimin se nuk kishte “listë klientësh” dhe asnjë “provë të besueshme” se paedofili i dënuar kishte “shantazhuar individë të shquar si pjesë e veprimeve të tij”.

Departamenti i Drejtësisë dhe FBI nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment rreth postimit të Trump-it.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani