
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, ka njoftuar një operacion të ri ushtarak amerikan që synon të shënjestrojë të ashtuquajturit “narko-terroristë” në Hemisferën Perëndimore.
“Sot, po njoftoj Operacionin SOUTHERN SPEAR,” deklaroi shefi i Pentagonit në platformën e mediave sociale X të enjten.
“I udhëhequr nga Task Forca e Përbashkët Southern Spear dhe @SOUTHCOM, ky mision mbron atdheun tonë, largon narko-terroristët nga Hemisfera jonë dhe siguron atdheun tonë nga drogat që po vrasin popullin tonë”, tha ai.
Komanda Jugore (SOUTHCOM) është një nga njëmbëdhjetë komandat e unifikuara luftarake të ushtrisë amerikane, e cila është e ngarkuar me planifikimin e emergjencave, operacionet dhe bashkëpunimin e sigurisë për 31 vende në Amerikën Qendrore, Amerikën e Jugut dhe Karaibe.
Fushata amerikane kundër trafikimit të drogës
Javën e kaluar, USS Gerald R Ford aeroplanmbajtësja më e madhe në botë mbërriti në ujërat e Karaibeve dhe Amerikës Latine , duke shtuar një përforcim tashmë masiv të forcave detare në rajon.
Uashingtoni tha se prania e saj ushtarake në zonë synon frenimin e bandave kriminale transnacionale me qëllim mbrojtjen e SHBA-së nga drogat e paligjshme, shkruan DW.
Si pjesë e fushatës së saj kundër trafikimit të drogës, SHBA-të kanë kryer sulme ushtarake kundër një numri anijesh në Karaibe dhe në Paqësorin lindor, duke pretenduar se ato janë “anije droge”. Dhjetëra njerëz kanë vdekur në sulme.