
Kryeministri Edi Rama ka nisur turin e dëgjesave publike për Buxhetin 2026, duke u takuar me banorë të njësisë nr. 2 në Tiranë.
Në fjalën e tij, Rama u ndal veçanërisht te mbështetja për pensionistët dhe rritja e pagës minimale, duke theksuar se këto janë dy prej prioriteteve kryesore të buxhetit të ardhshëm.
Rama tha se rritja e pensioneve do të jetë një nga zërat më të rëndësishëm të projektbuxhetit për vitin 2026, duke paralajmëruar një financim prej 1.7 miliardë eurosh përgjatë katër viteve të mandatit.
“Më në fund kemi vendosur atë që kemi dashur të bëjmë prej kohësh, por na është dashur kohë për ta bërë: rritjen e mbështetjes reale për pensionistët, të cilët do të zënë pjesën kryesore në distancimin e shtetit në këtë mandat të katërt,” – tha Rama.
“Mbështetja ekstra për pensionet do të shkojë në shifrën 1.7 miliardë euro, të ndara në katër vite, të përcaktuara në buxhetin afatmesëm të qeverisë,” shtoi ai.
Sipas kryeministrit, këto fonde do të shërbejnë për realizimin e objektivit që pensionet mesatare në kategorinë e pensionit të plotë urban të arrijnë nivelin e synuar nga qeveria.
Rama nënvizoi edhe se rritja e vazhdueshme ekonomike duhet të jetë “gjithëpërfshirëse”, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët. Ndërkohë, ai sqaroi se paga minimale e rritur do të aplikohet jo vetëm për administratën publike, por edhe për sektorin privat, duke hedhur poshtë komentet se kjo masë prek vetëm punonjësit e shtetit.
“Paga minimale do të jetë edhe për privatin edhe për shtetin. Sepse kam dëgjuar që thonë se bëhet fjalë vetëm për administratën,” deklaroi kryeministri.
Fjalimi i Ramës shënon hapin e parë të konsultimeve publike për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, që pritet të jetë një ndër më të mëdhenjtë në fokus social të qeverisë gjatë mandatit aktual.