
Zyra e prokurorit publik në Itali ka hapur një hetim zyrtar mbi pretendimet tronditëse se shtetas italianë kanë udhëtuar drejt Sarajevës gjatë viteve 1992–1996 për të marrë pjesë në të ashtuquajturat “safari snajperësh”, ku dyshohet se paguanin për të qëlluar mbi civilët boshnjakë gjatë rrethimit nga Ushtria serbe e Bosnjës. Ky rrethim, më i gjati në historinë moderne evropiane, shkaktoi mbi 11 mijë viktima, përcjell BBC.
Hetimi, i udhëhequr nga prokurori Alessandro Gobbis në Milano, nisi pas kallëzimit penal të gazetarit dhe shkrimtarit Ezio Gavazzeni, i cili, së bashku me avokatët Nicola Brigida dhe ish-gjyqtarin Guido Salvini, ngriti padi për “vrasje të rënduar nga mizoria dhe motivet e neveritshme”. Deri tani, pesë shtetas italianë janë identifikuar si pjesë e grupeve që dyshohet se udhëtuan për të marrë pjesë në këto aktivitete kriminale.
Sipas mediave italiane, qëllimi i hetimit është identifikimi i plotë i personave të përfshirë në këtë praktikë të dokumentuar në raportimet e kohës. Gavazzeni deklaroi se bëhet fjalë për “njerëz të pasur dhe me reputacion” që, gjatë rrethimit të Sarajevës, paguanin për të vrarë civilë të pambrojtur. Çmimet e pretenduara varionin deri në 100 mijë euro (sipas vlerësimeve aktuale të inflacionit), ndërsa viktimat kategorizoheshin në “lista çmimesh”, me fëmijët që kushtonin më shumë se të rriturit.
Raportet e paraqitura përfshijnë dëshminë e Edin Subasic, ish-oficer i inteligjencës boshnjake, i cili pohon se kishte informuar shërbimin sekret italian (Sismi) për këto udhëtime që në fillim të vitit 1994. Sipas tij, Sismi kishte identifikuar pikat e nisjes në Trieste dhe pretendonte se kishte ndërprerë aktivitetin, megjithëse autoritetet boshnjake thonë se çështja nuk u diskutua më kurrë më tej.
Për të ashtuquajturat “safari”, pjesëmarrësit thuhej se udhëtonin nga Trieste me avionë të linjës jugosllave/serbe Aviogenex drejt kodrave përreth Sarajevës, ku armatoseshin dhe udhëhiqeshin nga milicitë serbo-boshnjake besnike ndaj Radovan Karaxhiç, i dënuar më vonë për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Në padi përfshihet edhe një raport i Sismi-t që flet për një prej të dyshuarve, një sipërmarrës nga Milano, pronar i një klinike private kirurgjie plastike, i cili mendohet se ka marrë pjesë në të shtënat në vitin 1993.
Ish-kryebashkiakja e Sarajevës, Benjamina Kariç, ka dorëzuar gjithashtu prova dhe dokumente në Zyrën e Prokurorit të Milanos, duke i quajtur pjesëmarrësit “të huaj të pasur të përfshirë në aktivitete çnjerëzore”.
Ndërkohë, Serbia ka mohuar çdo përfshirje, por hetuesit italianë dhe dëshmitarët besojnë se shërbimet serbe të inteligjencës kanë qenë në dijeni dhe kanë lejuar ndodhjen e këtyre udhëtimeve të armatosura.
Konsulli boshnjak në Milano, Dag Dumrukcic, tha se Bosnja po bashkëpunon plotësisht me hetimin dhe se autoritetet synojnë të zbardhin plotësisht të vërtetën për “një prej kapitujve më mizorë të luftës”.
Hetimi mund të çojë në gjyqet e para ndaj qytetarëve evropianë që dyshohet se kanë kryer krime lufte jashtë strukturave ushtarake zyrtare, por me dijeninë ose mbështetjen e forcave ndërluftuese. Autoritetet italiane pritet të thërrasin në dëshmi dëshmitarët kyç ditët në vijim.