
Kryeministri Edi Rama, gjatë një dëgjesë me qytetarët në njësinë nr.2 në Tiranë, ka deklaruar se në Buxhetin 2026 janë parashikuar fondet e nevojshme për të zgjidhur përfundimisht problemin e mungesës së barnave për pacientët me kancer në Spitalin Onkologjik.
“Patjetër që ajo që ndodhi në Onkologjiku ishte diçka tronditëse dhe revoltuese. Por transformimi që është bërë është i jashtëzakonshëm për sa i përket infrastrukturës. Dobësia e madhe krijoi hapësirë për ngjarje skandaloze, si pamundësia për të ofruar barnat për të gjitha nevojat,” tha Rama.
Kryeministri theksoi se barnat për trajtimin e kancerit janë shumë të shtrenjta dhe kërkojnë burime të vazhdueshme për të përmbushur nevojat që rriten me kohën, duke shtuar se kanceri është një sëmundje gjithmonë e më e përhapur jo vetëm në Shqipëri, por edhe globalisht.
“Në buxhetin e 2026 kemi vendosur një fond të posaçëm për të përballuar të gjitha barnat për kancerin. Kjo do të thotë që pacientët që shkojnë atje të mos kenë mungesë dhe nga ajo mungesë të mos përfitojë askush,” përfundoi Rama.