Vendosni fjalën kyçe....

BE shqyrton planin për të trajnuar 3,000 oficerë palestinezë për t’u vendosur në Gaza


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të diskutojnë javën e ardhshme një propozim që parashikon që BE të marrë drejtimin e trajnimit të 3,000 oficerëve të policisë palestineze nga Gaza, si pjesë e fazës së parë të një kornize të mbështetur nga SHBA-ja, të cilën Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord ta nisin. Lajmi bëhet i ditur nga një dokument i brendshëm i siguruar nga Reuters, përcjell Ynet.

Sipas dokumentit të përgatitur nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm përpara mbledhjes së 20 nëntorit, BE-ja po shqyrton zgjerimin e dy misioneve civile që ka aktualisht në rajon, një që mbështet kontrollin e kufijve dhe një tjetër që fokusohet në reformimin e policisë dhe drejtësisë brenda Autoritetit Palestinez.

Dokumenti parashikon që misioni i BE-së për mbështetjen e policisë “të marrë drejtimin në trajnimin e forcës policore palestineze në Gaza, duke ofruar trajnim të drejtpërdrejtë dhe asistencë për rreth 3,000 oficerë të policisë që janë në listëpagesën e Autoritetit Palestinez, me synimin për të trajnuar të gjithë trupën prej 13,000 efektivësh.”

Po ashtu, propozohet mundësia e zgjerimit të misionit civil të BE-së për monitorimin e kufirit në pikën e Rafahut, për ta shtrirë atë edhe në kalime të tjera kufitare strategjike.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse blloku do të ecë përpara me ndonjë nga këto opsione. Përpjekjet diplomatike janë të ndërlikuara: një ditë më parë, Rusia paraqiti një projekt-rezolutë të vetën në OKB për Gazën, duke sfiduar iniciativën amerikane për të siguruar miratimin e Këshillit të Sigurimit për planin e presidentit Donald Trump.

Situata mbetet e pasigurt, ndërsa fazat e mëtejshme të marrëveshjes Izrael–Hamas nuk janë ende të përcaktuara.