
Një pretendim tronditës se të huaj të pasur paguanin për të qëlluar njerëz në Sarajevë në vitet 1990, kur qyteti ishte në mes të një bllokade ushtarake të dhunshme dhe kaotike nga ushtria serbe, ka nxitur një hetim nga prokurorët italianë.
Akuzat befasuese vijnë nga një shkrimtar italian, i cili pretendoi se kishte zbuluar prova se entuziastët e pasur të armëve – të quajtur “turistë snajperë” – do t’i paguanin forcat serbe të Bosnjës për të pasur mundësinë të qëllonin banorë rastësisht gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit, raportoi The Guardian.
Të huajt e pasur dyshohet se paguanin mbi 90,000 dollarë për të qëlluar njerëz gjatë “safarit njerëzor” në Sarajevë në vitet 1990, me një tarifë shtesë për të vrarë fëmijë.

Autoritetet italiane nisën hetimet mbi pretendimet se forcat serbe të Bosnjës organizuan safari njerëzorë në Sarajevë në vitet ’90, ku të pasurit vinin për të vrarë vendasit me snajper “për qejf”.
Të huaj të paidentifikuar nga Italia, SHBA, Rusia dhe vende të tjera akuzohen se kanë paguar për gjuetinë gjatë rrethimit katërvjeçar të Sarajevës, gjatë Luftës së Bosnjës.
Më shumë se 10,000 njerëz u vranë atje midis viteve 1992 dhe 1996 nga bombardimet dhe zjarri i snajperëve, në rrethimin më të gjatë të një qyteti në historinë e luftës moderne.
Vizitorët pretendohet se ishin të apasionuar pas armëve dhe dyshohet se paguanin trupat serbe me shuma të majmenga 80 mijë deri në 100 mijë euro për kokë, sipas gazetës La Repubblica.

Ata fluturonin nga Trieste në Itali për në Beograd me linjën ajrore serbe Aviogenex, përpara se të udhëtonin drejt kodrave rreth Sarajevës.
Nga pozicionet e tyre, ata më pas shënjestronin kalimtarët në rrugët poshtë.
Kushtonte më shumë nëse donin të qëllonin fëmijë, raportoi El Pais.
Banorët jetonin në frikë të përhershme se do qëlloheshin rastësisht gjatë atyre viteve, me shumicën e masakrave të kryera nga vetë ushtarët serbë të Bosnjës.
Pretendimet dolën fillimisht në dritë në dokumentarin e vitit 2022 “Sarajevo Safari”, nga kineasti slloven Miran Zupanic.
Në film, ai mblodhi dëshmi të cilat ndërtuan një pamje të turistëve të pasur që vizitonin qytetin për gjueti njerëzore.

Një ankesë ligjore u paraqit më pas nga shkrimtari dhe gazetari me qendër në Milano, Ezio Gavazzeni, me mbështetjen e ish-magjistratit Guido Salvini dhe Benjamina Karić, kryebashkiakes së Sarajevës nga viti 2021 deri në 2024, duke nxitur hetimin zyrtar.
Sipas pretendimeve turistët u paguanin para trupave të ushtrisë së Radovan Karadzić, ish-kreut serb të Bosnjës.
Karadzić, 80 vjeç, u dënua me 40 vjet burg në vitin 2016 për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Bosnjës me sa duket kishte pezulluar një hetim të mëparshëm mbi “turizmin snajperist” sepse ishte shumë i vështirë në një vend ende të plagosur nga lufta, i tha Gavazzeni gazetës la Repubblica.

Ai tha: “Ne po flasim për njerëz të pasur, me reputacion, biznesmenë, të cilët gjatë rrethimit të Sarajevës paguanin për të vrarë civilë të paarmatosur.”
Prokurori kryesor Alessandro Gobbi thuhet se ka një listë me disa persona që mund të ofrojnë dëshmi dhe mund të thirren për të dëshmuar.
Gavazzeni tha se mund të ketë pasur deri në 100 turistë që morën pjesë në turat snajperistë të fundjavës.
“Shpresoj se mund të lokalizojnë të paktën një ose dy, ndoshta 10,” tha ai.
Rasti përmend një biznesmen milanez që zotëron një klinikë private të kirurgjisë kozmetike, si dhe shtetas nga Torino dhe Trieste, raportoi El Pais.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Sun
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani

