
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të mbajnë më 17 nëntor në Bruksel Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, që do të shënojë hapjen e kapitujve të fundit të procesit të negociatave për anëtarësim në BE. Kjo konferencë do të trajtojë grupin e kapitujve që përfshin burimet, bujqësinë dhe kohezionin, duke përmbyllur kështu fazën e hapjes për të gjithë kapitujt negociues.
Sipas njoftimeve zyrtare, Shqipëria ka hequr tashmë të gjitha pikat e kuqe nga i ashtuquajturi “Muri i Zgjerimit” në Bruksel. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cila në shtator i prezantoi kryeministrit Edi Rama progresin e vendit në këtë proces, e vlerësoi Shqipërinë si shembull të përparimit të shpejtë në integrimet evropiane. “Kur erdha në dhjetor, thuajse gjithçka ishte me të kuqe. Shqipëria ka ecur kaq shpejt sa sot pjesa më e madhe është gjelbëruar”, tha Kos.
Në konferencën e 17 nëntorit pritet të hapen pesë kapituj të rinj: Kapitulli 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural), Kapitulli 12 (Siguria Ushqimore, Veterinaria dhe Fitosanitaria), Kapitulli 13 (Peshkimi dhe Akuakultura), Kapitulli 22 (Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore) dhe Kapitulli 33 (Dispozitat Financiare dhe Buxhetore).
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë arritje si “rekord absolut” në historinë e procesit të zgjerimit të BE-së. “Shqipëria arriti të pamendueshmen — të gjithë kapitujt e negociatave u hapën brenda 12 muajsh”, tha ai një ditë më parë.
Komisionerja Kos, gjatë publikimit të progresraportit 2025 të Komisionit Evropian, theksoi se “Shqipëria ka bërë progres të paprecedentë që prej konferencës ndërqeveritare të tetorit 2024”, duke shtuar se 91% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Konferenca e 7-të Ndërqeveritare përmbyll një cikël trevjeçar negociatash, që nisi me hapjen zyrtare të procesit më 19 korrik 2022 dhe përfshiu gjashtë grup-kapituj: “Themeloret”, “Marrëdhëniet e Jashtme”, “Tregu i Brendshëm”, “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme” dhe tani “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
Kjo konferencë pritet të shënojë një moment historik në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe të hapë rrugën për fazën përfundimtare të integrimit të plotë të vendit në familjen evropiane.