
Shqipëria dhe Italia mbajnë sot në Romë Samitin e parë ndërqeveritar, që do të drejtohet nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama. Takimi zhvillohet në Villa Pamphili, në orën 11:30, dhe fokusohet në tre çështje kryesore: mbrojtjen, industrinë dhe emigracionin. Ky është samiti i parë i këtij lloji midis dy vendeve dhe vjen si shenjë e forcimit të marrëdhënieve të ngushta politike, ekonomike dhe kulturore mes Tiranës dhe Romës.
Sipas mediave italiane, qeveritë pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje konkrete për të thelluar partneritetin strategjik. Në fushën e mbrojtjes, Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji, ndërsa në Shqipëri do të ndërtohet infrastrukturë detare dhe kantierë për ndërtimin e anijeve dhe trajnimin teknik të personelit. Në energji, bashkëpunimi do të zgjerohet mbi bazën e marrëveshjes trepalëshe Itali–Shqipëri–Emiratet e Bashkuara Arabe, të nënshkruar në Abu Dhabi në janar 2025, e cila parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe krijimin e një ndërlidhjeje nëndetëse që do të lidhë dy vendet.
Në fushën e emigracionit, do të ngrihet një grup i përbashkët pune për të luftuar imigracionin e parregullt dhe për të forcuar patrullimin detar, ndërsa në Shqipëri do të krijohet një sistem i mbrojtjes civile me mbështetje italiane. Bashkëpunimi do të zgjerohet edhe në sektorin e shëndetësisë, ku Italia do të ndihmojë në ngritjen e një departamenti neonatologjik në spitalin “Koço Gliozheni” në Tiranë.
Në fushën ekonomike, marrëveshjet përfshijnë përfshirjen e Cassa Depositi e Prestiti si institucion zhvillimi në Shqipëri dhe mbështetjen për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit. Gjithashtu, pritet ngritja e qendrës tregtare “ExpoAlbania” në Tiranë, si hap për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare. Italia ka theksuar sërish angazhimin e saj për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke u zotuar për mbështetje teknike dhe politike gjatë këtij procesi.
Samiti pritet të mbyllet me nënshkrimin e disa dokumenteve bashkëpunimi dhe me një deklaratë të përbashkët që riafirmon partneritetin strategjik mes dy vendeve. Përveç politikës dhe ekonomisë, pritet që edhe fusha e sportit të përmendet si simbol i miqësisë, pas nisjes së edicionit të 108-të të Giro d’Italia nga Durrësi në majin e këtij viti.