Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Investime të reja në energji dhe infrastrukturë, falë Melonit shqiptarët marrin pensione për punën në Itali


Në kuadër të mbledhjes së përbashkët mes qeverive Shqipëri–Itali, kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilluan një konferencë të përbashkët për mediat, ku theksuan thellësimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorë kyç si energjia, transporti, inovacioni, kultura dhe migracioni.

Takimi, që u zhvillua pas nënshkrimit të marrëveshjeve për bashkëpunim strategjik, shërbeu si një platformë për të diskutuar projekte konkrete, duke përfshirë Korridorin 8 dhe investimet energjetike ndërkufitare.

Rama theksoi rëndësinë e këtij partneriteti për Shqipërinë: “Falënderoj ministrin Tajani, i cili si një evropian i vërtetë dhe ministër i Jashtëm ka qenë mik i Shqipërisë.

Ai na mbështet në të gjitha elitë tona dhe jo vetëm në rrugë diplomatike, por edhe në aspektin ekonomik. Korridori 8 ka nisur me një ritëm të përshpejtuar, dhe kjo është meritë e tij,” – tha Rama.

Ai nënvizoi gjithashtu një arritje të veçantë për qytetarët shqiptarë që kanë punuar në Itali, duke theksuar se pensionet për punën e kryer jashtë vendit tashmë janë një realitet.

“Falë kujdesit të veçantë të kryeministres Meloni, sot të gjithë shqiptarët që kanë punuar në Itali kanë më në fund të drejtën për pensionin. Kjo është një kërkesë e bërë mbi 10 vite më parë dhe tani është realizuar,” – shtoi Rama.

Gjatë konferencës, Rama foli edhe për projektet strategjike të energjisë.

 “Kemi një nga projektet më të mëdha për energjinë në Evropë që po ecën përpara përmes linjës së interkoneksionit mes Shqipërisë dhe Italisë, me pjesëmarrjen e investitorëve nga vendet arabe. Po punojmë gjithashtu për një tjetër projekt që do të lidhë Lindjen me Perëndimin,” – tha ai, duke theksuar ndikimin e këtyre investimeve në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

Rama përfundoi duke vënë theksin tek viti 2028, kur Italia do të marrë kryesinë e Komisionit Europian.

 “Do të ishte qershia mbi tortë nëse atë vit, kur Giorgia do të mbajë rolin e dyfishtë si kryeministre dhe presidente e KE, marrëdhëniet tona të jenë konsoliduar dhe projektet e nisura të jenë të suksesshme. Shqipëria do të vazhdojë të sillet si një vend europian, siç po e bën tashmë,” – përfundoi Rama, duke ritheksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve është strategjik dhe afatgjatë.

Në konferencë, Meloni gjithashtu nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe të integrimit europian të Shqipërisë.

 “Shqipëria sillet tashmë si një vend i Bashkimit Europian. Marrëveshjet që kemi nënshkruar janë novatore dhe do të vazhdojmë përpara pavarësisht pengesave që janë tentuar të vendosen,” – tha ajo, duke theksuar se siguria, energjia dhe migracioni janë fusha prioritare ku Shqipëria dhe Italia do të veprojnë së bashku.

Në fokus të diskutimeve qëndroi gjithashtu bashkëpunimi ekonomik dhe investimet në sektorët strategjikë, duke synuar që Shqipëria të përfitojë nga partneriteti me Italinë jo vetëm për projekte energjetike, por edhe për zhvillimin e ndërmarrjeve prodhuese dhe infrastrukturës, me synim përmirësimin e mirëqenies dhe konkurrencës rajonale.