Vendosni fjalën kyçe....

“Putini s’është kërcënim për Gjermaninë, Polonia mbase” – Kreu i AfD-së


Kreu i partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) tha se Rusia e presidentit Putin nuk përbën kërcënim për vendin e tij por Polonia potencialisht po.

Komentet, të cilat i bëjnë jehonë mesazheve të Kremlinit, vijnë në një kohë kur politikanët centristë gjermanë po paralajmërojnë gjithnjë e më shumë se AfD po përdor ndikimin e saj në rritje për të vepruar si zëdhënëse e Putinit brenda Gjermanisë, një pretendim që krerët e AfD-së e mohojnë fuqishëm.

Putini “nuk më ka bërë asgjë”, tha Tino Chrupalla, bashkëdrejtuesi i AfD, në televizionin publik gjerman, shkruan Politico.

“Nuk shoh asnjë rrezik për Gjermaninë nga Rusia për momentin.”

Chrupalla vazhdoi duke këmbëngulur se çdo vend mund të përbëjë potencialisht një kërcënim për Gjermaninë.

“Merrni Poloninë, për shembull,” tha Chrupalla, duke përmendur kundështimin e vendit për të ekstraduar një shtetas ukrainas të cilin autoritetet gjermane e dyshojnë për sabotimin e gazsjellësve Nord Stream në vitin 2022.

“Polonia mund të jetë një kërcënim për ne.”

Centristët gjermanë po e portretizojnë gjithnjë e më shumë AfD-në si një parti që përfaqëson interesat ruse nga brenda Gjermanisë, ku disa shkojnë aq larg sa të argumentojnë se Kremlini po përfiton nga qasja e partisë në informacionet zyrtare për spiunazh.

Marc Henrichmann, kryetari konservator i komitetit mbikëqyrës të inteligjencës të Bundestagut, tha se beson se Rusia po bën pikërisht këtë.

“Rusia natyrisht po ushtron ndikimin e saj të dukshëm në parlament, veçanërisht te AfD-ja, në mënyrë që të spiunojë dhe të marrë informacione të ndjeshme,” i tha Henrichmann gazetës gjermane Handelsblatt kohët e fundit.

Chrupalla i ka hedhur poshtë me forcë këto akuza.

“Ata na akuzojnë për gjëra që nuk mund t’i provojnë kurrë, dhe kjo më duket perfide,” tha ai gjatë emisionit.