Vendosni fjalën kyçe....

Pekini forcon lidhjet me Venezuelën, ndërsa Uashingtoni shpall zero tolerancë për “narko-shtetet”



Ndërsa presidenti Donald Trump paralajmëron “zero tolerancë” për shtetet narkotrafikante në “oborrin e pasmë” të Amerikës, Kina po forcon ndikimin e saj në Venezuelë – një bast ekonomik dhe politik me rrezik të lartë që mund të përplaset së shpejti me fuqinë amerikane, përcjell Fox News.

Një grup luftarak aeroplanmbajtëseje amerikane ka hyrë në Karaibe për të monitoruar rrugët e trafikut të drogës që lidhen me ushtrinë venezueliane. Pentagoni tha se mbërritja e USS Gerald R. Ford, me mbi 4 mijë marinarë dhe dhjetëra avionë taktikë, ka për qëllim “të godasë dhe shpërbëjë organizatat kriminale transnacionale.”

Ndërkohë, Pekini shpalli në Ekspozitën e Shangait një marrëveshje tregtare “pa tarifa” me Karakas, që synon të heqë detyrimet doganore për qindra produkte kineze e venezueliane. Analistët e quajnë këtë lëvizje përpjekjen më të qartë të Kinës për të hyrë thellë në një ekonomi të sanksionuar që Uashingtoni kërkon ta izolojë.

Ekspertët paralajmërojnë se marrëveshja forcon varësinë e Venezuelës nga Pekini dhe dobëson industrinë vendase. “Kjo do ta shkatërrojë prodhimin vendas,” thotë analisti Gordon Chang. “Maduro s’ka shumë zgjedhje — përballet me një aeroplanmbajtëse amerikane pranë brigjeve të tij dhe ka nevojë për një mik të fortë.”

Kina, nga ana e saj, ka dhënë rreth 60 miliardë dollarë kredi ndaj Venezuelës në dy dekadat e fundit, kryesisht të shlyera me naftë. Përveç investimeve në infrastrukturë, ajo ka ngritur stacione satelitore dhe projekte mbikëqyrjeje që sipas analistëve i japin Pekinit avantazh strategjik në Amerikën Latine.

Sipas ish-diplomatit venezuelian Isaias Medina, vendi është shndërruar në një bazë operative për regjime armiqësore ndaj SHBA-së, ku Rusia, Irani, Kuba dhe Kina kanë krijuar prani të përhershme. Ai shton se korrupsioni është bërë sistem qeverisjeje, ndërsa uria dhe shpërnguljet masive përdoren si mjete kontrolli.

Megjithëse Kina ofron ndihmë ekonomike, ekspertët theksojnë se ajo nuk mund të mbrojë Karakas nga forca ushtarake amerikane. “Gjithçka varet nga ajo që vendos Trump,” tha Chang. “Kina nuk ka aftësi ushtarake për t’u përballur me SHBA-në në këtë rajon.”

Medina paralajmëron se kriza venezueliane është kthyer në një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë amerikane: “Vetëm tre orë larg brigjeve të SHBA-së, një regjim narkoterrorist është bërë pikë takimi për krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.”