Vendosni fjalën kyçe....

Meloni: Të rrisim bashkëpunimin me Shqipërinë, fokus tek ndërtimi i Korridorit 8


Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, deklaroi se Italia dhe Shqipëria po hyjnë në një fazë të re bashkëpunimi strategjik, me synim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe infrastrukturore mes dy vendeve.

Meloni njoftoi se është rënë dakord për krijimin e një forumi të përbashkët ekonomik, ku do të përfaqësohen ndërmarrje dhe shoqëri të sistemit prodhues nga të dy vendet, brenda gjashtë muajve të parë nga sot.

“Është hera e parë që qeveritë tona takohen në një format të këtij lloji. Marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë kanë rrënjë shumë të thella dhe kanë qenë gjithmonë konstante, përtej interesave reciproke. Ajo që duam të bëjmë është që këtë marrëdhënie të jashtëzakonshme ta shndërrojmë në një thesar për ta fuqizuar më shumë,” tha Meloni.

Ajo theksoi se Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë, ndërsa synimi i përbashkët është që këto marrëdhënie të thellohen më tej në fusha kyçe si energjetika, transporti dhe infrastruktura.

Në këtë kuadër, Meloni vuri theksin tek projekti i Korridorit 8, një linjë strategjike që lidh Pugliën me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

“Kemi përcaktuar drejtimet e investimeve në sektorë si energjia dhe transporti, duke u përqendruar tek Korridori 8, rruga që vjen nga Puglia, kalon në Shqipëri dhe vazhdon në Maqedoni e Bullgari. Kjo do të thotë të sigurosh më shumë mirëqenie dhe zhvillim, jo vetëm për italianët, por për të gjithë Evropën,” përfundoi Meloni.