
Kryeministri Edi Rama u ndal në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të lejuar që Erion Veliaj të vazhdojë detyrën e kryebashkiakut të Tiranës, pavarësisht se aktualisht ndodhet në burg.
Rama theksoi se Kushtetuesja duhet t’i qëndrojë besnike vendimit dhe t’i japë Veliaj mundësinë të kryejë detyrën, duke theksuar rëndësinë e drejtimit të kryeqytetit.
“Kemi edhe buxhetin e bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë është në burg pa gjyq. Kur ai u mor dhe u tërhoq nga zyra për t’u futur në qeli që ndodh për njerëzit shumë të rrezikshëm, unë thashë që kjo është disproporcionale. Çdo njeri nëse duhet hetuar, duhet hetuar, por çdo njeri deri kur gjykata e nxjerr fajtor është i pafajshëm. Kur merret dhe futet brenda, pastaj mediatikisht i bëhet gjyqi publik, krijohen hiena dhe kllounët e cirkut politik, dhe kjo sjell dënimin publik para se të dalë vendimi i gjykatës,” tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se, duke parë vendimin e të gjitha shkallëve të gjyqit që e lejon Veliajn të vazhdojë detyrën, Tirana nuk ka arsye të vuajë për mungesën e drejtimit.
“Ata që janë aktualisht po bëjnë maksimumin, dhe ne menduam në respekt të plotë të ligjit. Ligji për deputetin dhe për të zgjedhurin lokal është i ndryshëm; për deputetin kur mungon pa arsye, për të zgjedhurin, ligji nuk e përcakton qartë. GJK doli me vendim ndryshe nga i yni, por tani duhet të zgjidhet situata. Kryetari është në pamundësi për të kryer detyrën, nuk mund të bëhen zgjedhje. Kushtetuesja t’i qëndrojë vendimit dhe t’i japë mundësinë të vazhdojë detyrën,” tha Rama.
Ai theksoi se gjatë kësaj kohe, bashkia po mbështetet nga nënkryetarët dhe kryetarja e deleguar, por nuk është e njëjta gjë si të ketë një drejtues të zgjedhur që merr vendimet e plota për qytetin.
“Tirana nuk ka arsye të paguajë për një kohë të gjatë mungesën e drejtimit. Duhet të pastrohet situata, të funksionojë normalisht buxheti dhe ne po e mbështesim bashkinë për të bërë më të mirën për qytetarët,” përfundoi Rama.