Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj kërkon leje nga SPAK dhe Drejtoria e Burgjeve për takim me përfaqësuesit e Këshillit të Europës


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me një kërkesë për të zhvilluar një takim gjatë vizitës së delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, që do të jetë në Shqipëri nga 17 deri më 19 nëntor.

Veliaj kërkon të takojë përfaqësuesit e KiE-së për të sqaruar situatën e tij ligjore dhe statusin institucional si kryebashkiak i ndaluar, duke theksuar se transparenca dhe komunikimi janë thelbësore në kuadër të monitorimit të demokracisë vendore.

“Qëllimi i këtij takimi është të sigurojë transparencë, komunikim të drejtpërdrejtë dhe informim të saktë mbi situatën time ligjore, statusin tim institucional si Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe respektimin e të drejtave të mia si i ndaluar.

Në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht nenet 6 dhe 8 që garantojnë të drejtën për komunikim dhe përfaqësim, ju lutem të miratoni këtë kërkesë dhe të siguroni kushtet për zhvillimin e takimit gjatë periudhës së vizitës së përmendur”, thekson Veliaj në kërkesën drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve.