Vendosni fjalën kyçe....

Rama rikonfirmon Ogerta Manastirliun si drejtuese politike të Qarkut Tiranë



Kryeministri Edi Rama ka rikonfirmuar sot Ogerta Manastirliun si drejtuese politike të Qarkut të Tiranës, pas anulimit të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 9 nëntorit në kryeqytet, ku ajo ishte kandidate e mazhorancës për Bashkinë e Tiranës.

Rama deklaroi se Qeveria do të mbështesë Bashkinë e Tiranës për të bërë më të mirën në menaxhimin e buxhetit dhe theksoi se komunikimi me qytetarët do të vijojë përmes dëgjesave publike.

“Dhe për këtë arsye, menduam, me Ogertën, si drejtuesja politike e qarkut, por edhe si deputete e Tiranës, që të vazhdojmë të komunikojmë në këto dëgjesa, që të marr pjesë sa të jetë mundësia, dëgjesa që do t’i bëjmë në të gjithë territorin,” tha Rama.

Ky rikthim vjen pas largimit të Belinda Ballukut nga drejtimi politik i qarkut, funksion që ajo mbante që prej dekretimit të zgjedhjeve të 9 nëntorit nga Presidenti, zgjedhje që më pas u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.

Balluku, e cila aktualisht është e pandehur nga SPAK për akuzën e shkeljes së barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, nuk do të vijojë më të mbajë këtë rol politik në kryeqytet.

Me këtë vendim, Ogerta Manastirliu merr zyrtarisht drejtimin politik të Partisë Socialiste për gjithë Qarkun e Tiranës, duke rikthyer ekuilibrin në strukturat e mazhorancës pas zhvillimeve të fundit politike dhe ligjore.