
Përfaqësuesi i lartë i Kombeve të Bashkuara, Tom Fletcher, zhvilloi të martën takime në Port Sudan me udhëheqësin e qeverisë ushtarake kalimtare, Abdel Fattah al-Burhan, për të siguruar qasje më të gjerë për ndihmat humanitare në vendin e shkatërruar nga lufta civile, përcjell DW.
Në pamje të publikuara nga Këshilli Sovran Kalimtar, Fletcher shihet në takim me al-Burhan dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Diplomati britanik, i cili ndodhet në një vizitë njëjavore në Sudan, e përshkroi bisedën si “praktike dhe pozitive”, duke theksuar angazhimin për të përmirësuar shpërndarjen e ndihmave në gjithë vendin.
“OKB vlerëson angazhimin e qartë për të na ndihmuar të shpëtojmë jetë kudo që është e nevojshme,” shkroi Fletcher në një postim.
Përpara vizitës, Fletcher iu drejtua Këshillit të Sigurimit të OKB-së me një apel të fortë, duke pyetur pse reagimi ndërkombëtar ndaj luftës në Sudan ka qenë kaq i zbehtë krahasuar me genocidin e Darfurit dy dekada më parë.
“Ajo që ndryshon sot është reagimi global – një ndjenjë dorëzimi. Kjo është një krizë apatie,” tha ai.
Që prej shpërthimit të luftës në prill 2023 mes ushtrisë sudaneze dhe milicisë paraushtarake Rapid Support Forces (RSF), janë vrarë dhjetëra mijëra persona dhe rreth 12 milionë janë zhvendosur brenda dhe jashtë vendit, duke krijuar një nga krizat më të mëdha humanitare në botë.
Ushtria kontrollon pjesën veriore dhe qendrore të vendit, ndërsa RSF mban nën kontroll Darfurin dhe zonat jugore. Muajin e kaluar, RSF mori nën kontroll qytetin El-Fasher, pas një rrethimi njëvjeçar, duke detyruar mijëra njerëz të arratisen.
Zëvendëskomisionerja e lartë e OKB-së për Refugjatët, Kelly Clements, paralajmëroi se mungesa e fondeve ndërkombëtare po e bën pothuajse të pamundur ofrimin e ndihmave për refugjatët sudanezë, shumë prej të cilëve janë gra dhe fëmijë.
“Rreth 87% e refugjatëve janë gra dhe fëmijë. Shumica e tyre janë viktima të dhunës seksuale,” tha ajo për DW, duke shtuar se shkurtimet në ndihma – përfshirë ato të nisura gjatë administratës Trump – po pengojnë ndihmën mjekësore dhe psikologjike në kampet e refugjatëve.
Ajo vlerësoi gatishmërinë e Çadit për të mbajtur kufijtë hapur për refugjatët, pavarësisht mungesës së resurseve:
“Është e jashtëzakonshme se si Çadi vazhdon t’i presë vëllezërit dhe motrat që ikin nga lufta, por ky vend ka nevojë për shumë më tepër mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar.”
Ndërkohë, ministrat e jashtëm të G7 pritet të diskutojnë situatën në Sudan gjatë takimit në Kanada, përkrah krizave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.