
Dy ministra të kabinetit të Ukrainës – ministrja e Energjisë, Svitlana Grynchuk, dhe ministri i Drejtësisë, German Galushchenko – kanë dhënë dorëheqjen të mërkurën, pas akuzave për përfshirje në një skemë korrupsioni prej 100 milionë dollarësh që ka tronditur qeverinë e Kievit, përcjell REL.
Sipas hetuesve, skema dyshohet se është orkestruar nga Timur Mindich, një aleat i afërt dhe ish-bashkëpunëtor biznesi i presidentit Volodymyr Zelensky, me qëllim përvetësimin e fondeve nga kontratat e lidhura me Energoatomin, operatorin shtetëror të energjisë bërthamore.
Presidenti Zelensky deklaroi se “është plotësisht e papranueshme që ende ekzistojnë skema të tilla korrupsioni në sektorin e energjisë”, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të dy ministrave. Pak orë më vonë, kryeministrja Yulia Svyrydenko konfirmoi se ata kishin dorëzuar zyrtarisht letrat e dorëheqjes.
Dorëheqjet vijnë në një kohë kur Ukraina po përballet me ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe ngrohjes, pas sulmeve të përsëritura me dronë dhe raketa nga Rusia. Skandali ka shkaktuar zemërim në publik, në një periudhë kur qeveria e Kievit përpiqet të ruajë mbështetjen e partnerëve evropianë.
“Asnjë nuk mund të pasurohet mbi kurrizin e qytetarëve që po vuajnë në errësirë,” tha Zelensky në një video të publikuar në rrjete sociale.
Mindich, bashkëpronar i studios Kvartal 95 – e themeluar nga Zelensky gjatë karrierës së tij si aktor – u largua nga vendi pak para se të shpërthente skandali, sipas autoriteteve kufitare. Kryeministrja Svyrydenko tha se ndaj tij dhe biznesmenit tjetër të akuzuar, Oleksandr Tsukerman, do të vendosen sanksione personale.
Partia opozitare e ish-presidentit Petro Poroshenko ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë, ndërsa parlamenti duhet të votojë zyrtarisht për pranimin e dorëheqjeve të dy ministrave.
Ky është skandali më i madh i korrupsionit që godet qeverinë ukrainase që prej fillimit të pushtimit rus, dhe shihet si një provë kyçe për zotimin e Zelenskyt ndaj reformave që kërkon Bashkimi Evropian për anëtarësimin e vendit.