
Komisioni Evropian ka filluar ngritjen e një organi të ri të inteligjencës nën presidenten Ursula von der Leyen, në një përpjekje për të përmirësuar përdorimin e informacionit të mbledhur nga agjencitë kombëtare të spiunazhit.
Njësia, që do formohet brenda sekretariatit të përgjithshëm të komisionit, planifikon të punësojë zyrtarë nga komuniteti i inteligjencës i BE-së dhe të mbledhë informacione për qëllime të përbashkëta, thanë katër persona të informuar mbi planet.
Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia dhe paralajmërimet e presidentit amerikan Donald Trump për zbehjen e mbështetjes së sigurisë amerikane ndaj Evropës e kanë nxitur BE-në të rimendojë aftësitë e saj të sigurisë të brendshme dhe të fillojë nismën e saj më të madhe të riarmatimit që nga Lufta e Ftohtë.
Një nga personat tha: “Shërbimet e spiunazhit të shteteve anëtare të BE-së dinë shumë. Komisioni di shumë. Ne kemi nevojë për një mënyrë më të mirë për t’i bashkuar të gjitha këto dhe për të qenë efektivë dhe të dobishëm për partnerët. Në fushën e inteligjencës, duhet të japësh diçka për të marrë diçka.”
Lëvizja kundërshtohet nga zyrtarë të lartë në shërbimin diplomatik të BE-së, i cili mbikëqyr Qendrën e Inteligjencës të bllokut (Intcen), të cilët kanë frikë se do përforcojë rolin e njësisë dhe do kërcënojë të ardhmen e saj, shtuan këta persona. Plani nuk u është komunikuar zyrtarisht të gjitha 27 shteteve anëtare të BE-së, por organi synon të sjellë zyrtarë me caktim të përkohshëm nga agjencitë kombëtare të inteligjencës.
Një zëdhënës i Komisionit i tha FT-së se po “shqyrtonte se si të forconte aftësitë e saj të sigurisë dhe inteligjencës. Si pjesë e kësaj qasjeje, po konsiderohet krijimi i një celule të dedikuar brenda sekretariatit të përgjithshëm.”
“Koncepti po zhvillohet dhe diskutimet janë duke vijuar. Nuk është vendosur asnjë afat specifik,” thanë ata, duke shtuar se do “bazohej në ekspertizën ekzistuese brenda komisionit dhe do bashkëpunonte ngushtë me shërbimet përkatëse të EEAS (Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm).”
Ndarja e inteligjencës ka qenë prej kohësh një temë delikate për vendet anëtare të BE-së. Shtetet kryesore si Franca, me aftësi të gjera spiunazhi, kanë qenë të kujdesshme për ndarjen e informacionit të ndjeshëm me partnerët. Shfaqja e qëndrimeve pro-ruse në vende si Hungaria e ka ndërlikuar më tej bashkëpunimin.
Kryeqytetet e BE-së pritet t’i rezistojnë lëvizjeve të komisionit për të krijuar kompetenca të reja inteligjence për Brukselin, thanë dy nga personat. Por ata shtuan se ka pasur shqetësime të gjata mbi efektivitetin e Intcen, veçanërisht teksa Evropa i përgjigjet luftës hibride të Rusisë.
“Komisioni nuk do fillojë të dërgojë agjentë në terren,” tha një person i dytë.
Sugjerimet e Trump se SHBA mund të zvogëlojë mbështetjen e saj për Evropën dhe pezullimi i tij i përkohshëm i mbështetjes së inteligjencës për Ukrainën këtë pranverë kanë theksuar varësinë e kontinentit nga Uashingtoni për aftësi të caktuara.
Njësia e re pason vendimin e von der Leyen për të krijuar një “kolegj sigurie” të dedikuar për komisionerët e saj për t’u informuar mbi çështjet e sigurisë dhe inteligjencës. Ajo ka ndërmarrë hapa edhe për të financuar blerjet e armëve për Ukrainën dhe për të nisur projektin e satelitit Iris 2.
Ndarja e inteligjencës së BE-së daton që nga sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA, të cilat nxitën agjencitë e spiunazhit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Spanjës, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të fillojnë grumbullimin e vlerësimeve të klasifikuara të sigurisë.
Kjo përfundimisht u bë më e institucionalizuar dhe u zgjerua për të përfshirë shtete të tjera anëtare dhe në vitin 2011 u vu nën shërbimin diplomatik të BE-së.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT