
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas mungesës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në komisionet parlamentare, ku pritej të prezantonte projektbuxhetin për vitin 2026.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi akuzoi Ballukun se është shmangur qëllimisht nga raportimi në Kuvend, duke shkelur Rregulloren dhe ligjin, pasi, sipas tij, “është e ndërgjegjshme për shkeljet që ka kryer”.
“Ju e dini, kategoria e njerëzve që i fshihen apo shkojnë në drejtim të paditur, siç ka ikur zonja, është kategoria e atyre që janë të ndërgjegjshëm që kanë shkelur ligjin. Vetëm një person që ka shkelur ligjin i fshihet Kuvendit. Një që nuk e ka shkelur, duhet të vijë në komision,” tha Bardhi.
Ai akuzoi ministren se “shpërndan paratë e qytetarëve më të varfër të Evropës për kompani të paracaktuara prej saj apo të Edi Ramës”.
“Të dy zëvendësministrat, të pyetur se ku ndodhet ministrja, na thanë ‘ka punë, nuk e dimë ku është’. Kur dy vartësit e saj nuk e dinë çfarë pune ka ministrja, shqiptarët e marrin me mend – është mbyllur në zyrë dhe po paracakton kujt do t’i japë tenderin e radhës. Për buxhetin duhet të jetë ministri, personi përgjegjës politik, sepse fondet nuk i jepen zv.ministrave – është përgjegjësi e ministrit,” theksoi Bardhi.
Kreu i grupit demokrat kujtoi gjithashtu se Balluku është e pandehur nga SPAK dhe e akuzoi për shmangie nga institucionet e drejtësisë.
“Një ministër që i fshihet Kuvendit… ne e dimë që është e pandehur. Një javë iu fsheh edhe SPAK-ut, por nuk mund t’i fshihet dot as Kuvendit dhe as Prokurorisë,” tha ai.
Bardhi shtoi se Shqipëria është sot “i vetmi vend në rajon dhe në Evropë që ka një zëvendëskryeministër dhe ministër që menaxhon 60% të buxhetit të shtetit dhe që është i pandehur nga SPAK për abuzim me detyrën”.
“Në Maqedoni u largua ministri brenda 24 orësh. Vetëm në Shqipëri, një ministre e pandehur për korrupsion, vazhdon të menaxhojë miliarda euro nga taksat e qytetarëve,” përfundoi Bardhi.