Vendosni fjalën kyçe....

Vendimi për militantët e Hamasit të bllokuar në tunele do të merret në bashkëpunim me administratën Trump, thotë një zyrtar izraelit


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe i dërguari amerikan Jared Kushner kanë diskutuar për çarmatimin e plotë të Hamasit, demilitarizimin e Gazës dhe sigurimin që grupi të mos rikthehet më kurrë në pushtet, bëri të ditur të hënën një zëdhënës i qeverisë izraelite.

Ai shtoi se çdo vendim lidhur me rreth 200 militantë të Hamasit të bllokuar në tunelet nën qytetin Rafah do të merret në bashkëpunim me administratën e Donald Trump.

Sipas zyrtarëve izraelitë, Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion që Izraeli të lejojë një “korridor të sigurt” të negociuar për militantët, në vend që t’i eliminojë ata, përcjell Ynet.

Një nga propozimet e diskutuara parashikon që ata të dorëzohen, të lënë armët dhe të përfitojnë falje ose deportim, ndërkohë që tunelet që po përdorin do të shkatërrohen.

Fushata diplomatike mori vrull gjatë vizitës së Jared Kushner në Izrael këtë javë.

Kushner, dhëndri i Donald Trump dhe një nga arkitektët e armëpushimit të fundit, zhvilloi takime me Netanyahun dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të promovuar qasjen e preferuar nga Uashingtoni, sipas burimeve amerikane dhe izraelite.

“Ka shumë presion nga SHBA,” tha një zyrtar i lartë izraelit. “Duke qenë kështu, është e vështirë të imagjinohet që ne thjesht do t’i eliminojmë ata. Vlerësimi është se kjo çështje mund të zgjidhet përmes një marrëveshjeje.”

Çështja ka marrë rëndësi të re pas kthimit të eshtrave të ushtarit izraelit Hadar Goldin, i cili mbahej nga Hamasi prej më shumë se 11 vitesh. Zyrtarë të Uashingtonit besojnë se ky zhvillim mund t’i japë Netanyahut më shumë hapësirë politike për të pranuar një zgjidhje të negociuar.

Një zyrtar i lartë turk tha mbrëmjen e së dielës se Ankaraja po punon për të siguruar “kalim të sigurt” për rreth 200 persona të bllokuar në një enklavë tunelesh në lagjen Jenina të Rafahut, duke përmendur rolin e Turqisë në lehtësimin e kthimit të Goldinit.

“Ne e mundësuam me sukses kthimin e Hadar Goldin pas 11 vitesh,” tha ai për Reuters, duke theksuar se përpjekja pasqyron angazhimin e Hamasit ndaj armëpushimit.

Burime në mbrojtjen izraelite hodhën poshtë përshkrimin turk, duke thënë se bëhet fjalë për militantë të Hamasit që strehohen në një zonë nën kontrollin izraelit të Rafahut.

Ushtria izraelite konfirmoi se po vazhdon shkatërrimin e tuneleve dhe po mban presionin mbi kërcënimet që vijnë nga ajo zonë.

Zyrtarët e Hamasit, nga ana tjetër, kanë deklaruar se nuk do të dorëzohen dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e ndërmjetësve.

 Përmes një interviste për televizionin Al-Araby, zyrtari i lartë i Hamasit, Mohammad Nazzal, tha se grupi refuzon çdo formë dëbimi nga Gaza dhe paralajmëroi se Izraeli dhe aleatët e tij do të mbajnë përgjegjësi për çdo përshkallëzim.

Ndërmjetësi palestinezo-amerikan, Bashara Bahbah, u shpreh se pret një marrëveshje “brenda pak ditësh” që do t’u lejojë militantëve të bllokuar të largohen drejt një territori palestinez të sigurt, duke reflektuar pritshmëritë e ndërmjetësve për një kompromis të afërt.