Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti sirian pritet të takohet me Trump në Uashington për të kërkuar heqjen e sanksioneve



Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa do të zhvillojë të hënën bisedime me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke shënuar vizitën e parë zyrtare të një lideri sirian në SHBA që nga pavarësia e vendit në 1946, përcjell Guardian.

Sharaa, i cili udhëhoqi rebelët islamistë që rrëzuan Bashar al-Assad-in në fund të vitit të kaluar, pritet të kërkojë heqjen e plotë të sanksioneve të mbetura ndaj Sirisë, duke përfshirë ligjin Caesar Syria Civilian Protection Act të vitit 2019, i cili imponon masa të ashpra ekonomike për shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë konfliktit.

Këshilltari i tij mediatik, Ahmad Zeidan, tha për Al Arabiya se “çështja kryesore” në agjendën e Sharaa-s është shfuqizimi i këtij ligji. Gjatë një vizite të mëparshme në Arabinë Saudite në maj, Trump e përshkroi Sharaa-n si “një njeri të ri, tërheqës. Njeri i fortë, me të kaluar të fortë. Luftëtar i vërtetë.”

Sharaa, ish-lider i grupit rebel Hayat Tahrir al-Sham (HTS) dhe më parë i lidhur me al-Qaida-n, kishte një shpërblim prej 10 milionë dollarësh nga qeveria amerikane, por tani është përjashtuar nga lista e terrorizmit nga Departamenti i Shtetit. Ai pritet të bashkohet edhe zyrtarisht me koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS gjatë vizitës në Uashington.

Sipas Departamentit të Shtetit, qeveria siriane ka përmbushur disa kërkesa të SHBA-së, përfshirë gjetjen e amerikanëve të zhdukur dhe eliminimin e armëve kimike të mbetura, duke shënuar progres pas largimit të regjimit të Assad-it.

Sharaa dhe ekipi i tij tentojnë të prezantohen si moderate dhe të gatshëm për paqe dhe rimëkëmbje ekonomike, ndërsa Izraeli, i cili mbetet në konflikt formal me Sirinë dhe akoma kontrollon Lartësitë e Golanit, kundërshton heqjen e plotë të sanksioneve, duke argumentuar se kjo do të hiqte leverdinë e SHBA-së ndaj Damaskut.

Kostoja e rindërtimit të Sirisë pas 13 viteve luftë civile vlerësohet nga Banka Botërore në 216 miliardë dollarë, ndërsa Sharaa ka premtuar se vendi i tij ka një fuqi punëtore të aftë dhe të gatshme për rimëkëmbje ekonomike sapo të hiqen sanksionet.