
Muzeu i ri i Arteve të Afrikës Perëndimore (MOWAA) në shtetin Edo të Nigerisë ka pezulluar ngjarjet e parashikuara për hapjen e tij pas një incidenti të dhunshëm të ndodhur gjatë fundjavës, përcjell DW.
Rreth 20 persona, disa të armatosur me shkopinj druri, hynë me forcë në oborrin e muzeut të dielën, ndërsa po zhvillohej një aktivitet i mbyllur për donatorë dhe ambasadorë. Të ftuarit u detyruan të strehoheshin brenda godinës.
Në një njoftim në Instagram, drejtuesit e MOWAA thanë: “Nëse kishit planifikuar të udhëtoni drejt Benin City për javën e hapjes së MOWAA-s, ju lutemi pezulloni planet tuaja.”
Incidenti ndodhi pak ditë pasi dhjetëra protestues u mblodhën përpara parlamentit të shtetit Edo për të kundërshtuar hapjen e muzeut, që ka ndezur tensione politike që nga nisja e projektit pesë vite më parë.
MOWAA, me një kosto rreth 25 milionë dollarë, është projektuar për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë artistike të Afrikës Perëndimore, duke përfshirë hapësira ekspozuese, arkiva dhe rezidenca për artistë vendas. Projekti mbështetet nga qeveritë e Gjermanisë, Francës dhe Danimarkës, si edhe nga institucione si British Museum, Getty Foundation dhe Ford Foundation.
Kontroversia lidhet me pronësinë e artefakteve të famshme “Benin Bronzes”, të grabitura nga ushtria britanike në shekullin XIX në Mbretërinë e dikurshme të Beninit (në territorin e sotëm të Nigerisë).
Në vitin 2023, ish-presidenti Muhammadu Buhari shpalli se këto artefakte i përkasin Obas Ewuare II, sundimtarit tradicional të Beninit, dhe se çdo objekt i kthyer nga perëndimi duhet t’i dorëzohet atij.
Fillimisht MOWAA ishte parashikuar të strehonte “Benin Bronzes”, por muzeu e hoqi këtë plan pas reagimeve të Obas dhe mbështetësve të tij, të cilët e shohin muzeun si përpjekje për t’i larguar artefaktet nga pronari legjitim.
Ministrja e Kulturës së Nigerisë, Hannatu Musa Musawa, dënoi incidentin, duke e cilësuar “një kërcënim ndaj një pasurie të çmuar kulturore dhe ndaj mjedisit të nevojshëm për shkëmbim artistik”.
Përkrahësit e MOWAA-s thonë se muzeu, i projektuar nga arkitekti britaniko-ghanian David Adjaye, do ta shndërrojë shtetin Edo në një qendër ndërkombëtare arti dhe kulture, ndërsa kundërshtarët e konsiderojnë projektin një provokim ndaj sundimtarit tradicional dhe historisë së Beninit.