Vendosni fjalën kyçe....

Kallas komenton sulmet amerikane në Karaibe: Forca mund të përdoret vetëm për vetëmbrojtje ose me mandat të OKB-së



Në hapjen e samitit të katërt midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Amerikës Latine e Karaibeve (CELAC), shefja e diplomacisë europiane Kaja Kallas theksoi rëndësinë e respektimit të ligjit ndërkombëtar mbi përdorimin e forcës, në mes të kritikave për sulmet e SHBA-së ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe, përcjell Euronews.

“Ligji ndërkombëtar është shumë i qartë: forcë mund të përdoret vetëm në dy raste — në vetëmbrojtje ose me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së,” deklaroi Kallas në mbërritjen e saj në Santa Marta, Kolumbi.

Samiti, që bashkon përfaqësues nga 60 vende për të diskutuar mbi tregtinë, klimën, migracionin dhe bashkëpunimin në siguri, u zhvillua në një atmosferë të tensionuar.

Presidenti kolumbian Gustavo Petro i cilësoi vrasjet gjatë sulmeve amerikane si “ekzekutime jashtëgjyqësore” dhe theksoi se një nga viktimat ishte shtetas kolumbian. “Çfarë po bëjmë ne me këtë takim në një botë mes raketave?” pyeti Petro në fjalën e hapjes, duke e quajtur samitin “një dritë mes barbarisë”.

Ndërkohë, kryeministri holandez në detyrë Dick Schoof kërkoi uljen e tensioneve në Detin e Karaibeve, ndërsa ministri i jashtëm meksikan Juan Ramon de la Fuente tha se qëndrimi i Meksikës është “respektimi i sovranitetit dhe vetëvendosjes së popujve.”

Nga ana e tij, Presidenti i Këshillit Europian António Costa u fokusua në bashkëpunimin ekonomik dhe politik mes dy rajoneve, pa përmendur drejtpërdrejt sulmet. “Ne zgjedhim dialogun, jo ndarjen; bashkëpunimin, jo përplasjen; partneritetin, jo izolimin,” tha ai.

Sipas raportimeve, që nga shtatori SHBA ka ndërmarrë 18 sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, me të paktën 70 persona të vrarë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth deklaroi: “Të gjithë narko-terroristët që kërcënojnë vendin tonë — nëse doni të jetoni, ndaloni trafikun. Po e vazhduat, do t’ju vrasim.”

Samiti i dyditor në Santa Marta, ku disa liderë europianë si Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Friedrich Merz munguan, synon të rigjallërojë dialogun BE–Amerika Latine pas vitesh tensione dhe ndasish politike brenda vetë CELAC-ut.