Vendosni fjalën kyçe....

BSH: Nevojë për disiplinë fiskale, më shumë të ardhura dhe fokus tek investimet


Banka e Shqipërisë shprehu sot një opinion pozitiv për projektbuxhetin e vitit 2026, duke vlerësuar sidomos mbajtjen e një deficiti të ulët buxhetor dhe projeksionet për uljen e borxhit publik.

Zëvendësguvernatorja e parë, Luljeta Minxhozi, tha të hënën në Komisionin Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, se ky kah i politikës fiskale ndihmon në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, rrit besimin e investitorëve vendas e të huaj, krijon më shumë hapësira për zgjerimin e sektorit privat, si dhe rrit fleksibilitetin e reagimit të politikës monetare.

“Së pari, Projektbuxheti i vitit 2026 ruan një hapësirë të konsiderueshme për investime publike. Këto investime, të projektuara në nivelin 6.5% të PBB-së, bëhen të mundura nga vlera pozitive e balancës korrente, apo – me fjalë të tjera – e diferencës midis të ardhurave dhe shpenzimeve korrente, në nivelin 4.3% të PBB-së.

Si një vend në zhvillim, Shqipëria ka nevoja relativisht të mëdha për investime në infrastrukturën publike, investime të cilat kanë ndikim pozitiv në produktivitet dhe rritin potencialin e zhvillimit të vendit. Për këtë arsye, çdo projektbuxhet, aktual dhe i ardhshëm, duhet të kujdeset për ruajtjen e këtyre hapësirave nëpërmjet kontrollit të shpenzimeve korrente ose zgjerimit të bazës së të ardhurave.

Së dyti, Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon rritjen e përpjekjeve për formalizimin e ekonomisë. Ky konstatim faktorizon zbatimin e pritur të disa masave të dakorduara në kuadër të strategjisë afatmesme të financave publike.

Në gjykimin tonë, rritja e formalizimit ka ndikime pozitive afatgjata, nëpërmjet nxitjes së konkurrencës së ndershme, rritjes së bazës së tatueshme, forcimit të qëndrueshmërisë fiskale dhe zgjerimit të hapësirave për politika prioritare sektoriale.

Së treti, Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një nivel relativisht të ulët huamarrjeje, si në tregun e brendshëm – i cili parashikohet të mbulojë më shumë se 70% të nevojave për financim – dhe në atë të jashtëm.

Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, ruajtja e huamarrjes së re në nivele të ulëta ndihmon në reduktimin e primeve të rrezikut dhe rritjen e hapësirave për huamarrjen e sektorit privat.

Në të njëjtën kohë, fokusimi i kësaj huamarrjeje në tregun e brendshëm ndihmon në reduktimin e ekspozimit të buxhetit të shtetit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit dhe është konsistent me kushtet e mira financiare në tregun vendas,” tha ajo.

Lidhur me projeksionet fiskale, Banka e Shqipërisë konstaton se niveli i planifikuar i të ardhurave buxhetore është i arritshëm, ndonëse ai është në kahun e sipërm të parashikimeve të saj. Megjithatë, znj.Minxhozi tha se rreziqet që shoqërojnë supozimet e skenarëve bazë mbeten relevante, e si të tillë ato duhen adresuar.

“Për këtë arsye, devijimet potenciale nga supozimet kërkojnë pasurimin e analizës me skenarë alternativë dhe identifikimin e masave potenciale korrektuese, në varësi të shmangies së tyre nga parashikimet. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë rithekson nevojën e një monitorimi të kujdesshëm të realizimit të buxhetit, i shoqëruar me hartimin e masave kontingjente që do garantojnë ruajtjen e planit për deficitin buxhetor.

Ne gjykojmë se, në çdo rast kur do të jetë i nevojshëm korrektimi fiskal, ai duhet të synojë respektimin e limitit të deficitin buxhetor dhe të jetë i orientuar në kahun e shpenzimeve, duke identifikuar dhe ruajtur hapësirat për ato shpenzime të cilat ofrojnë një eficiencë më të lartë. Lidhur me strukturën e financimit të deficitit, ne vlerësojmë pozitivisht zhvendosjen e saj drejt burimeve të brendshme të financimit.

Aktualisht, tregu i brendshëm financiar ofron prime të ulëta rreziku, në reflektim të ambientit ekonomik të favorshëm dhe pritjeve për një perspektivë ekonomike të stabilizuar.

Megjithatë, ne inkurajojmë një shpërndarje sa më lineare të shpenzimeve dhe të huamarrjes së brendshme, në funksion të zbutjes së luhatjeve të normave të interesit dhe të gjendjes së likuiditetit në sistemin financiar.,” tha znj. Minxhozi.

Në sugjerimet e saj për të ardhmen, Banka e Shqipërisë theksoi edhe njëherë rekomandimin që konsolidimi fiskal duhet të bazohet gjithnjë e më tepër në kahun e të ardhurave.

Ky sugjerim faktorizon faktin se presionet për zgjerim të shpenzimeve publike, në kahun e skemës së pensioneve, në kahun e skemës së kujdesit shëndetësor, si dhe për të financuar investimet publike dhe ato në arsim, do të vijnë në rritje në të ardhmen. Në këtë këndvështrim, rritja e të ardhurave publike është një zgjidhje më optimale se një konsolidim fiskal i bazuar në shkurtimin e shpenzimeve.

Banka e Shqipërisë inkurajoi zbatimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, me fokus uljen e evazionit fiskal, digjitalizimin e administratës tatimore dhe zgjerimin e bazës tatimore dhe  hartimin e një politike tatimore të qëndrueshme, të thjeshtë dhe koherente, që garanton stabilitet rregullator dhe parashikueshmëri për biznesin.

Nga ana tjetër, banka e Shqipërisë theksoi sërish se përmirësimin i menaxhimit të shpenzimeve publike është një hap kyç për rritjen e efikasitetit të politikës fiskale për dhe për rritjen e efektit stimulues në ekonomi.

“Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë vijon të përsërisë sugjerimin për një shpërndarje më të njëtrajtshme të shpenzimeve gjatë vitit, në interes të shmangies së përqendrimit kronik të tyre në fundin e vitit.

Po ashtu, ne inkurajojmë zhvillimin dhe adoptimin e një metodologjie standarde të vlerësimit të raportit kosto – përfitim për investimet publike, si një praktikë të vlefshme për shqyrtimin dhe miratimin e projekteve të reja,” tha znj.Minxhozi.

Ajo shtoi se deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vijon të jetë një barrë e konsiderueshme për buxhetin e shtetit, duke tejkaluar edhe nivelin e deficit të përgjithshëm buxhetor.

Në veçanti, sfidat fiskale të këtyre skemave mbeten të larta, duke marrë në konsideratë fenomenin e plakjes së popullsisë dhe të tkurrjes demografike.

Këta tregues priten të ushtrojnë trysni të shtuar mbi financat publike në të ardhmen, duke bërë të domosdoshëm ndërmarrjen e reformave shtesë që do garantonin reduktimin e vulnerabiliteve fiskale të lidhura me to.

“Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë rekomandon rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve, me qëllim kontrollin e mbështetjes së drejtpërdrejtë të saj nga buxheti i shtetit; zhvillimin dhe promovimin e shtyllës së dytë dhe të tretë të pensioneve, përmes mekanizmave fiskalë dhe rregullatorë nxitës; (integrimin e analizës së rreziqeve demografike dhe fiskale në kuadrin afatmesëm të programimit buxhetor, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së,” tha ajo.

Lidhur me projektet e partneritetit publik-privat, Banka e Shqipërisë kërkoi përpjekje për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit./Monitor