Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat ndaj gjyqtarit të Kushtetueses Asim Vokshi, KED publikon dokumentet e procesit: U kryen të gjitha verifikimet


Një material i transmetuar së fundmi në një televizion kombëtar ka ngritur disa pretendime lidhur me mënyrën se si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka trajtuar kandidaturën e Asim Vokshit për Gjykatën Kushtetuese, përfshirë akuza për fshehje dokumentesh dhe mungesë hetimi. Megjithatë, shqyrtimi i dokumenteve zyrtare dhe i hapave të ndjekur nga institucioni përgjegjës tregon një panoramë të qartë të zhvillimeve.

Më 17 qershor 2025, KED miratoi vendimin nr. 14, me të cilin lejoi kandidimin e z. Vokshi pas një procesi të plotë verifikimi nga të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe të sigurisë: AKSIK, SHISH, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme. Raportet përfundimtare nuk evidentuan asnjë element që cenonte integritetin moral apo profesional të kandidatit, duke bërë që procedura të vijonte normalisht.

Në vijim, gjatë muajve korrik dhe gusht, AKSIK i përcolli KED-së një informacion të klasifikuar “sekret” në lidhje me të njëjtin kandidat. Këshilli, në përputhje me detyrimet e tij ligjore, e trajtoi këtë informacion si pjesë të procesit verifikues dhe nisi një hetim administrativ të zgjeruar. U kërkuan sqarime shtesë nga AKSIK, ILDKPKI dhe disa banka të nivelit të dytë, ndërkohë që anëtarët e Këshillit zhvilluan takime të drejtpërdrejta me përfaqësues të institucioneve përkatëse për të vlerësuar çdo të dhënë të re.

Në përfundim, më 17 shtator 2025 (Vendimi Nr. 27), KED arriti në përfundimin se informacionet e reja nuk ishin të bazuara dhe nuk përbënin arsye për rishikimin e vendimit fillestar, duke mos ndikuar në pastërtinë e figurës së kandidatit.

Më 11 dhe 16 shtator 2025 u zhvilluan mbledhje me dyer të mbyllura, të dokumentuara me procesverbale. Në përfundim, KED miratoi vendimin nr. 27, datë 17.09.2025, ku u konkludua se “informacionet e përcjella nuk përbënin arsye për rishikimin e vendimit nr. 14, datë 17.06.2025, pasi ishin të pabazuara dhe pa ndikim në pastërtinë e figurës së kandidatit.”

Ky vendim mbylli fazën e dytë të verifikimeve, duke konfirmuar se materiali i ri nuk përmbante prova apo elementë që cenonin integritetin e kandidatit.

Sipas Kushtetutës, roli i kryetarit të KED është i përcaktuar qartë. Kreu i Gjykatës së Lartë drejton gjithashtu edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, por vendimmarrja brenda Këshillit është kolegjiale dhe e dokumentuar sipas procedurave ligjore, gjë që garanton neutralitet institucional dhe shmang përqendrimin e kompetencave në një individ të vetëm.

Pas përfundimit të verifikimeve, eigjithë dokumentacioni i kandidaturës së Vokshit iu përcoll Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Në pikën 4 të vendimit theksohet se gjyqtarët u njohën me materialet disa ditë përpara votimit, duke përmbushur procesin e informimit dhe transparencën procedurale lidhur me rastin në fjalë.

Më herët KED-ja në një reagim zyrtar theksonte se nuk ndikohej nga asnjë formë presioni apo ndërhyrjeje të paligjshme. Reagimi erdhi pasi një publikimi nga Top Channel, i cili pretendonte se kishte pasur shkelje në përzgjedhjen e Asim Vokshit si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Në deklaratën për mediat, KED theksonte se çdo veprim dhe vendimmarrje e tij ishte zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe transparencën publike, ndërsa mohoi kategorikisht çdo pretendim për fshehje informacioni.