Vendosni fjalën kyçe....

Skandali me fjalimin e Trump-it në Kapitol, dorëhiqen drejtuesit kryesorë të BBC-së


Drejtori i Përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie dhe shefja ekzekutive e lajmeve të BBC-së, Deborah Turness

Dy drejtues kryesorë në BBC dhanë dorëheqjen të dielën mes një skandali në rritje mbi njëanshmërinë që zhyti transmetuesin publik britanik në një nga krizat më të mëdha të tij në vitet e fundit.

Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie (ekzekutivi më i lartë), dhe shefja ekzekutive e divizionit të lajmeve, Deborah Turness, të dy u larguan pasi u zbulua një memo thellësisht kritike që, ndër të tjera, zbuloi se BBC kishte redaktuar në mënyrë mashtruese një fjalim të presidentit amerikan Donald Trump për ta bërë të dukej sikur ai kishte bërë thirrje drejtpërdrejt për dhunë më 6 janar 2021, shkruan CNN.

Davie njoftoi se po jepte dorëheqjen si drejtor i përgjithshëm i transmetuesit britanik në një shënim dërguar stafit të dielën pasdite, tha BBC.

Davie tha në deklaratën e tij se dorëheqja e tij ishte “tërësisht vendimi im”.

“Në përgjithësi, BBC po punon mirë, por janë bërë disa gabime dhe si drejtor i Përgjithshëm unë duhet të marr përgjegjësinë përfundimtare,” tha ai.

Davie shtoi se do punonte me bordin e BBC-së për të bërë tranzicionin te pasardhësi i tij.

Turness, e cila njoftoi se po largohej në të njëjtën kohë me Davie, tha se “polemika e vijueshme rreth dokumentarit të Panorama-s mbi Presidentin Trump ka arritur në një fazë ku po i shkakton dëm BBC-së, një institucion që unë e dua,” në një deklaratë në faqen e internetit të BBC-së.

“Përgjegjësia është e imja,” tha Turness, duke shtuar se ajo ia kishte ofruar dorëheqjen Tim Davie të shtunën.

“Ndonëse janë bërë gabime, dua të jem absolutisht e qartë se pretendimet e fundit se BBC News është institucionale e anshme janë të gabuara,” shtoi ajo.

Hollësitë redaktimit mashtrues

Dorëheqjet vijnë pasi një memo e brendshme, e parë nga gazeta britanike The Telegraph, zbuloi se BBC kishte transmetuar një fjalim të “manipuluar” të Trump-it, duke e bërë të dukej se ai nxiste në Kapitol Hill, duke u thënë atyre se do ecte me ta për të “luftuar si të cmendur.”

Në fakt, Trump tha në fjalimin e tij në Uashington DC më 6 janar 2021 se “ne do shkojmë në Kapitol, dhe do brohorasim për senatorët dhe kongresmenët tanë trima.”

Sipas memos së brendshme të rrjedhur, dokumentari e bëri presidentin amerikan të dukej se thoshte gjëra që ai kurrë nuk i tha, duke bashkuar pamjet.

Pas shfaqjes së raportit, djali i Trump-it, Donald Trump Jr., e ndau atë në X, duke shkruar: “Gazetarët ‘FAKE NEëS’ në Britani janë po aq të pandershëm dhe plot broçkulla si ata këtu në Amerikë!!!!”

Pretendimet bënë që Sekretarja e Shtypit e Donald Trump, Karoline Leavitt, ta kritikonte ashpër BBC-në si “100% lajm të rremë” dhe një “makinë propagande.”

“Taksapaguesit britanikë po detyrohen të paguajnë faturën për një makineri propagande të majtë,” tha zyrtarja e lartë e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një intervistë të fundit për The Telegraph.

Lisa Nandy, Sekretarja e Shtetit për Kulturën, Median dhe Sportin, falënderoi Davie për punën e tij në BBC pasi ai njoftoi dorëheqjen e tij.

“Ai ka udhëhequr BBC-në përmes një periudhe ndryshimi të rëndësishëm dhe ka ndihmuar organizatën të përballojë sfidat me të cilat është përballur vitet e fundit,” tha Nandy në një postim në X.

“Tani më shumë se kurrë, nevoja për lajme të besueshme dhe programim me cilësi të lartë është thelbësore për jetën tonë demokratike dhe kulturore, dhe vendin tonë në botë,” tha ajo.